fbpx

Parlamenti shqiptar miratoi buxhetin për vitin 2018, planifikohen rritje të pagave dhe pensioneve

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dje buxhetin për vitin 2018.Me miratimin e këtij buxheti, ashtu siç ishte paralajmëruar duke filluar nga viti 2018 do të ketë rritje pagash në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor, rritje pensionesh si dhe rritje të ndihmës ekonomike.

Siç njoftojnë mediat vendase, duke filluar nga 1 korriku viti që vjen vetëm në sistemin arsimor do të përfitojnë rritje pagash rreth 31,370 mësues të ciklit parauniversitar. Një rritje që do të variojë nga 2.000 lekë deri në 2.600. Ndërkohë rritje pagash do të ketë dhe në sistemin e shëndetësisë ku edhe këtu do të përfitojnë rreth 18,415 mjekë dhe infermierë, nga të cilët 4650 janë mjekë dhe 13,765 infermierë. Për mjekët do të ketë një rritje page me 3.500 lekë kurse për infermierët një rritje prej 2.200 lekësh. Madje për këtë kategori do të ketë dhe bonuse motivues nëqoftëse zgjedhin të ushtrojnë profesionin e tyre në zona të thella të vendit.

Buxheti i ri do të akordojë fonde edhe për rritjen e pensioneve në 2018-ën ndonëse me një rritje më të vogël krahasuar me kategoritë e tjera. Kështu duke iu referuar buxhetit të 2018-ës, fondi për rritjen e pensioneve parashikohet në 1.8 miliardë lekë ku përfitues do të jenë 600 mijë pensionistë në të gjithë vendin.

Duke filluar nga janari i vitit 2018, një kategori tjetër që do të fillojë të marrë jetë do të jetë dhe ajo e pagesave të papunësisë. Ndonëse prej vitesh një gjë e tillë nuk është aplikuar në Shqipëri, me miratimin e buxhetit 2018 kjo nismë do të filloj të marri jetë. Kështu çdo person që do të humbas punën në kuadër të kontributeve në sigurimet shoqërore që ka bërë do të përfitojë një pagë mujore prej 12.500, deri në momentin që do të gjejë një punë të dytë.

Ndërkaq miratimi i buxheti nga ana e Kuvendit i hapi rrugë dhe rritjes së pensioneve të invaliditetit pasi për këtë kategori janë në dispozicion 15.8 miliard lekë. Madje nga ky fond do të rritet me 4.5 për qind numri i përfituesve.

Me miratimin e buxhetit 2018, duke filluar nga janari qeveria i ka hapur rrugë dhe miratimit të fondit për ish të përndjekurit politik. Për këtë kategori qeveria ka akorduar rreth 2.5 miliardë lekë plus dhe të ardhurat që do të sigurohen nga ALUIZNI.

Sakaq me miratimin e këtij buxheti kanë përfituar rritje fondesh dhe një sërë institucionesh të ndryshme shtetërore duke filluar nga Ministria e Shëndetësisë, e Financave, e Arsimit, Bujqësisë apo dhe shumë të tjera. Sakaq rritje fondesh përfituan dhe organet e vetingut, gjykatat, SHISH, DPPPP, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve apo dhe shumë të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button