Këto janë gjykatësit dhe prokurorja që e dërguan në paraburgim Çavkovin dhe të dyshuarit tjerë

Vesna Dimishkova dhe Nenad Savevski janë gjykatësit e procedurës paraprake në Departamentin për Krim të Organizuar në Gjykatën Themelore Shkupi 1, që me kërkesë të prokurores Villma Ruskovska, i kanë shqiptuar paraburgim, Mitko Çavkovit dhe personave tjerë të cilët u arrestuan në aksionin policor për dhunën në Kuvend më 27 prill nën akuzën për “kërcënim terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese”, njofton Portalb.mk.

Dimishkova dhe Ruskovska janë të njohura për opinionin pasi që në të kaluarën kanë qenë pjesë e lëndëve të shumëpërfolura në opinion, ndërkaq Savevski nuk ka qenë pjesë e ndonjë rastit të rëndësishëm.

Kush është gjykatësja Dimishkova?

Për gjykatësen Vesna Dimishkova mediat kanë shkruar se ka përkrahjen e Ambasadës së SHBA-së në Shkup. Nga Departamenti për Procedurë Paraprake është sistemuar në Departamentin për Krim të Organizuar. Ajo edhe më parë ka gjykuar për krim të organizuar, por ishte risistemuar.

Dimishkova mbahet mend pasi që ka mundësuar që Prokuroria Speciale Publike të futet në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.

Dimishkova gjithashtu është gjykatësja që në prill të këtij viti PSP-së i ka nënshkruar urdhër për bastisje në banesën e Kosta Kërpaçit, i cili para vetëvrasjes ka bashkëpunuar me PSP në rastin “Fortesa”. Gjykatësja pas këtij urdhri është degraduar nga gjykatëse për krim të organizuar në gjykatëse për krim të thjeshtë.

Ajo është e njohur edhe nga rasti “Detonator” kur merrte kërcënime nga të akuzuarit duke i thënë se “do të fluturojë si pëllumb”, për këtë kishte ngritur procedurë kundër kërcënuesve, ndërsa gjatë procesit ishte e siguruar 24 orë nga policia.

Kush është prokurorja Ruskovska

Prokurorja VIllma Ruskovska në profesionin si prokurore për krim të organizuar ka karrierë më shumë se 13 vjet.

Ruskovska në karrierën e saj ka qenë prokurore në dy raste të rëndësishme edhe atë në “Lagjen e Trimave” dhe “Detonatori”.

Në rastin “Lagjja e Trimave”, Ruskovska bashkë me Naum Panoskin kanë qenë prokurorët të cilët kanë kërkuar burgime të larta për 34 të akuzuarit, të cilët ndiqeshin për veprën penale “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste”.

Në rastin “Detonator” Gjykata ka shqiptuar dy dënime të përjetshme dhe gjithsej 92 vite burg për 13 të akuzuarit.

Aksioni “Detonator” u zhvillua në mars të vitit të kaluar. Të dënuarit akuzoheshin për  vrasje, dhënie të parave me kamatë, zhvatje, dhunë dhe posedim të paligjshëm të armëve.

Kush është gjykatësi Nenad Saveski?

Nga ana tjetër, gjykatësi Nenad Savevski, në këtë pozitë është i ri, gjegjësisht në vitin 2016 u zgjodh për gjykatës në Departamentin për Procedurë Paraprake. Ai paraprakisht ka punuar rreth 7 vjet si prokuror në Shkup dhe Gostivar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button