Studentët e huaj në Maqedoni kërcënohen nga policia

Studentët e UEJL dhe USHT që vijnë nga Kosova, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës kanë hasur në probleme me policinë e cila u ka kërkuar urgjentisht të rregullojnë dokumentacionin e leje-qëndrimit sepse në të kundërtën ata do ti deportojnë jashtë Maqedonisë.

Aplikimi i kësaj mase, sipas autoriteteve policore, është në përputhje me Ligjin me të huajt, të cilin Maqedonia e ka miratuar kohë më parë. Në bazë të shifrave jozyrtare, janë 60 studentë nga Kosova, të cilët nuk e kanë të zgjidhur problemin e lejes së qëndrimit në Maqedoni. Për të rregulluar problemin ato duhet që të parashtrojnë kërkesë në Ambasadën e Maqedonisë në Kosovë. 

Lajmi është konfirmuar edhe nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, ku studiojnë studentë nga tre viset shqiptare, të cilët kanë kërkuar që organet përgjegjëse të zgjidhin këtë problematikë.

“UEJL është angazhuar lidhur me rastin në fjalë, tani mbetet që organi kompetent shtetëror ti përgjigjet pozitivisht kërkesës së studentëve për ndjekjen e papenguar të studimeve”, tha Demush Bajrami, UEJL.

Ndërsa ambasadori kosovar në Maqedoni tha se çështja së shpejti do të zgjidhet.
“Kam kontaktuar policinë vendore, policinë e kufirit, komunat, universitetet, dhe kam marrë vlerësime se kjo do të rregullohet shumë shpejt edhe atë në bazë të ligjeve aktuale.” thotë ambasadori Durmishi. 

Sipas ligjeve aktuale, në Maqedoni mund të merret leje qëndrim për tre muaj. Studentët apo personat që qëndrojnë në vend duhet që të paraqesin të dhënat e tyre dhe të dhënat e personit ku do të qëndrojnë në stacionin më të afërt të policisë./ Koha/ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button