NJERIU KULTURDASHËS

Para së gjithash, Xhelal Idrizi, i lindur në Brodec të Malësisë së Sharrit para 54 vitesh, është njeri i mirë dhe i urtë, shpirtmadh dhe bujar, dashamir i artit dhe artistëve, përkrahës i krijuesve letrarë dhe i zhvillimeve kulturore, mecenat botimesh dhe dhurues librash nëpër biblioteka dhe institucione kulturore e arsimore.

Megjithat, për shkak të natyrës së tij të paimponueshme dhe modestisë atipike për kohën tonë, njerëzit e njohin vetm si biznesmen të suksesshëm, si pronar restoranesh me emër, brenda dhe jashë vendit.

Është fjala për biznesin familjar të familjes Idrizi, të ushtruar dikur në kryeqytetin e ish Jugosllavisë – Beograd dhe  në ishullin Kërk të Dalmacisë, ndërkaq, më pas në Prishtinë, Gostivar dhe Tetovë, ku pavarësisht kohës dhe rethanave, gjithkund ia dolën të jenë ndër gastronomët më të preferuar për klientët.

Ajo që bie në sy të mysafirëve kur futen në restoranin e Xhelalit, është shija e spikatur me të cilën janë regulluar ambientet e brendshëm të tij: pikturat dhe grafikat unikate të firmosura prej artistësh të shquar, shtyllat dhe parmakët veshur me dru, orenditë  elegante, kamarierët xhentilë dhe shërbimi mbresëlënës.

Xhelali thotë se biznesin e ka trashëguar nga babai Hajruni, qysh si nxënës i shkollës fillore dhe të mesme, kur, gjatë pushimeve verore e dimërore nisi ta përvetësojë zejen e gastronomisë.

Në sajë të punës së pandalshme ai ka realizuar pjesën më të madhe të ëndrrave të jetës, po kjo nuk ia ka kënaqur shpirtin e prirur për të gjetur lumturinë e tij në lumturinë e të tjerëve.

Dhe këtë paqe shpirti ai e gjeti te veprimtaria e krijuesve letrarë shqiptarë, të cilët i përkrah në çdo aktivitet të rëndësishëm: për organizime orësh poetike, për përurime librash, për akademi solemne, për tryeza debatesh kulturore…

Këtë ndihmë Xhelali nuk e ofron për keqardhje, si punë lëmoshe a mëshire, po si një gjest fisnik, duke blerë prej autorëve sasira të konsiderueshme librash, të cilat më pas ua fal atyre që kanë më shumë nevojë të pasurojnë raftet e bibliotekave me botime të reja. Një mënyrë e këtillë e ndihmës mbron dinjitetin e krijuesve dhe i bën të ndihen të respektuar për punën që bëjnë.

Forcimin e miqësisë me krijuesit, viteve të fundit, Xhelalit ia mundësoi restorani i mirënjohur ARBI në Tetovë, në të cilin organizohen aktivitete të shpeshta kuturore. Kjo i jep kuptim jetës së këtij njeriu, i cili ka vite që edhe në dasma, fejesa, ditëlindje e gëzime familjare, në vend të gotave, dhuron paketa me libra të ndryshëm, duke mbjellur aty ku ka mundësi dashurinë për librin dhe një traditë domethënëse kulturore.

Kënaqësi të veçantë ai ndjenë kur librat e blerë me djersën e punës së mundimshme ua dhuron institucioneve arsimore, ashtu siç veproi sivjet në shkollat e fshatrave: Gajre, Lisec, Shipkovicë, Brodec, Veshallë, Bozofcë, Llacë, Sellcë, Vicë… dhe ashtu siç do të veprojë së shpejti në dy qytetet e Pollogut dhe në dhjetra fshatrat e tyre të shtrirë rëzë Sharrit dhe Malit të Thatë, në të cilët beson se do të shohë shumë fytyra të buzëqeshura fëmijësh me libra në dorë.

Kjo pra është ëndrra e njeriut të fisëm – Xhelal Idrizit, biznesmenit shpirtmadh, adhuruesit të librit dhe mecenatit të aktiviteteve kulturore, që është i bindur se misioni i tij do të ndiqet edhe prej biznesmenëve të tjerë shqiptarë.

Urojmë t’i dalë parashikimi!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button