Gruevski: Nuk ndryshojmë identitetin!

Kryeministri Nikolla Gruevski tha se do të ketë kompromis me Greqinë por jo ai të cenojë identitetin e maqedonasve.

Deputeti Tito Petkovski sot në Kuvend e pyeti kryeministrin Gruevski se a do të ketë një qëndrim unik para Samitit të NATO-s në Çikago në lidhje me cështjen e emrit.
Kryeministri u përgjigj se pala maqedonase dëshiron një zgjidhje e cila mund të jetë një kompromis, por se kjo zgjidhje nuk guxon të paraqesë diktat me të cilin do të ndryshohet identiteti. 

“Gati se një vit me radhë nuk mund të vendosim komunikim normal me Greqinë. Kur me dikë nuk komunikoni, si mund të bisedoni dhe të gjeni zgjidhje? Qëndrimi shtetëror ndërtohet kur ka bisedime, kur ka zgjidhje konkrete që ofrohet nga dikush. Të mblidhet Kuvendi e të bisedojë në një seancë të hapur ose të mbyllur”, u shpreh Gruevski.

Gruevski e sulmoi Petkovskin duke thënë se ai disa vite me radhë ka qenë pjesë e garniturave qeveritare dhe nuk i ka bërë reformat për hyrje në BE dhe NATO.

“Ose nuk keni qenë të aftë për ta bërë këtë, ose nuk keni dashur. Tani ballafaqohemi me një moment që do të thotë bllokadë ilegale nga ana e Greqisë, çka dëshmoi edhe gjyqi në Hagë, i cili në mënyrë të qartë dëshmoi se Maqedonia në asnjë moment nuk e ka shkelur marrëveshjen e nënshkruar në vitin 1995”, tha kryeministri, i cili theksoi se Qeveria dëshiron një zgjidhje me të cilën do të normalizohen marrëdhëniet me fqiun jugor dhe nuk do t’i shkaktojë dëm interesave nacionale të vendit./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button