Forumi FIA, Berisha: Shqipëria, urbanizim më të lartë se Kina

Tiranë  -Kryeministri Sali Berisha theksoi sot, gjatë fjalës së tij në Forumin e Biznesit FIA, se Shqipëria ofron potenciale të mëdha investimi. Duke folur për urbanizimin e vendit Kryeministri tha se Shqipëria ka pasur ritme të larta urbanizimi që prej viteve ’90.

“Vij këtu nga një konferencë urbanizimi. Para se të shkoja në atë konferencë u detyrova t’i hedh një vështrim procesit të urbanizimit në planet dhe gjej se në këtë kohë Kina në 20 vite është urbanizuar aq sa Britania në 80 vjet. Shqipëria nga vitet ’90 deri në 2011-ën ka pasur ritme kineze urbanizimi, ndër ritmet më të larta”, u shpreh Berisha.

Berisha nënvizoi se potenciali energjetik mbetet një ndër potencialet më të mëdha të vendit. Kryeministri e krahasoi vendin me një Norvegji të vogël përsa u përket burimeve ujore, që, siç tha ai, është vendosur përballë tregut më të uritur energjetik në Europë, atij italian.

Sipas Kryeministrit, “Shqipëria ka pasuri të shumta minerare. Shqipëria ka depozita botërore të kromit, ka rezerva hekur-nikeli shumë të mëdha, Shqipëria ofron depozita të mëdha gazi”, Ai përmendi edhe shanset e mëdha që projekti i madh i gazsjellësit TAP të kalojë në vendin tonë. “Shanset që në Shqipëri të kalojë projekti më i madh i Europës në këtë dekadë janë reale dhe vijnë gjithnjë e më shumë në ngjitje”.

Sipas Kryeministrit, është e dhimbshme të dëgjosh përsëri thirrjet për taksa progresive. “Ju garantoj se një nga shkaqet madhore të krizës së sotme botërore financiare dhe ekonomike ishin taksat e larta. Kjo krizë nuk erdhi nga taksat e ulta, por në një botë me vende me taksa të larta. Do të lehtësojmë barrën fiskale ndaj jush për të lehtësuar lirinë tuaj fiskale, lirinë tuaj ekonomike”, iu drejtua anëtarëve të FIA-s.

Kryeministri u shprehu mirënjohje FIA-s dhe anëtarëve të saj, si për kontributin themelor për zhvillimin e vendit, duke shprehur besimin ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe për mënyrën e zhvillimit të dialogut konstant që kanë dhe do të kenë me qeverinë për interesin më të mirë të vendit. /lajmiifundit

Lajme të ngjashme

Back to top button