Reformat në administratë, nuk parashihet shkarkim i administratorëve

Reformat e kërkuara në sferën e administratës publike nga Komisioni Evropian dhe të parashtruara në raportin e fundit të Pribesë duke vlerësuar se “sektori i administratës publike në Maqedoni është i stërngarkuar dhe i partizuar”, sipas ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski nuk parashihen të realizohen me shkarkim të administratorëve, njofton Portalb.mk.

Si një nga reformat kryesore në sektorin e administratës publike, sipas Mançevskit do të jetë digjitalizimi i administratës.

“Nuk do të ketë shkarkime të administratës publike, por ristrukturimin e administratës publike do të përpiqemi ta bëjmë që administrata të jetë më efikase dhe normalisht, si më kryesore e reformave në administratë është digjitalizim i administratës”, tha Mançevski.

Përndryshe, në gusht të 2017-s ministri Mançevski tha se: “Ish-qeveria e Gruevskit ka harxhuar 2 milionë euro për regjistrin e të punësuarve në sektorin publik që nuk i mban informatat reale për të gjithë të punësuarit në administratën publik pasi që në të, nga 1.302 institucione shtetërore që figurojnë në Maqedoni, 150 prej tyre nuk i kanë futur të dhënat për numrin e administratorëve”, pati thënë Mançevski më 30 gusht duke shtuar se në administratë publike ka të punësuar 115.729 persona.

Numri edhe më tej ngelet i njëjtë pasi që ende nuk është arritur numri i plotë.

Ndryshe, në raportin e Komisionit Evropian u tha se “ Në vend së te kishim pezullime të administratorëve, kontratat e tyre u përmirësuan dhe kaluan kontrata të përhershme pa ndonjë konkurs publik. Kryerja e punës në mënyrë joefektive, kalimi i sektorit të administratës publike në instrument politik, presionet ndaj të punësuarve dhe partizimi i sektorit të administratës janë shqetësuese. Mungesa e vullnetit politik për të realizuar reformat e nevojshme në sektorin publik çoi në uljen e ndihmës së BE-së në vitin 2016″, u tha në raportin e KE-së.

Ndërkaq, çështja e partizimit të administratës publike u parashtrua në raportin e Pribesë“Duhet të respektohen rregulla, si për shembull në përdorimin e fondeve publike dhe administratës publike për aktivitete partiake”, thuhet në raportin e Pribesë.

LEXO MË SHUMË: 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button