Shkup, nesër panair për promovimin e prodhimeve vendore

Nesër në mënyrë solemne në ora 10:00 do të hapet panairi i Shkupit me moton: “Promovimi i prodhimeve vendore dhe investimeve të huaja”. Lajmin e bënë të ditur Ministri i ekonomisë Valon Saraqini dhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Menderez Kuçi.

Në të njëjtën ditë do të mbahet dhe Forum Ekonomik me temë: “Integrimi rajonal ekonomik si sfidë për kalimin e krizës ekonomike vendore dhe atë rajonale”, e organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë.

“Në 27 shkurt ne promovuam një aktivitet që do të zgjasë gjatë gjithë vitit dhe quhet “Javët e biznesit”. Me këtë do të bëhet promovimi i prodhimeve tona vendore me qëllim të zhvillimit të biznesit të madh dhe të vogël. Me Ministrinë e Ekonomisë i caktuam detajet dhe ajo praqitet si mbështetëse e iniciativës”, tha Menderez Kuçi nga OEMVP-ja.

Ministri Valon Saraqini tha se padyshim kriza në euro zonë shprehet edhe te ne dhe për këtë arsye në kuadër të këtyre dy ngjarjeve, institucionet e sistemit do ta bartin porosinë e kompanive, operatorëve ekonomikë dhe investuesve se qëllimi është të mundësohet bashkëpunimi i përforcuar ekonomik në mënyrë që sa më thjeshtë të tejkalojmë krizën. 

“Me përforcimin e bashkëpunimit rajonal do të përpiqemi që këtë vit rritja ekonomike e vendeve të jetë më e mirë se në vitin e kaluar”, tha Saraqini.

Prezent në hapjen e panairit do të jenë edhe presidenti Gjorgje Ivanov dhe ai i Shqipërisë Bamir Topi. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button