LSDM pyet Gruevskin a do të shkarkojë Jankullovskën?

Në seancën e sotme të pyetjeve të deputetëve, kryeministri Gruevski nuk u përgjigj a do ta shkarkojë numrin një të policisë.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Igor Ivanovski në seancën e sotme parlamentare ku parashtroheshin pyetje të deputetëve kërkoi përgjigje nga kryeministri Nikolla Gruevski për gjendjen e sigurisë në Maqedoni dhe pyeti se a do të shkarkohet ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska.

Kryeministri Gruevski, nga ana tjetër, në fjalimin e tij u shprehi ngushëllime familjeve të cilët humbën të afërmit e tyre te liqeni në afërsi të fshatit Smillkovc.

“Nuk ekzistojnë fjalë të cilat do ta zbusnin dhimbjen e tyre, por puna e institucioneve është që ti gjejnë autorët. MPB-ja me gjithë forcat dhe kapacitetet e veta punon në zbardhjen e këtij rasti. Mbrëmë bisedova me personat përgjegjës dhe mund të them se asnjëherë deri më tani nuk kam parë ndonjë motivim kaq të lartë për të gjetur autorët e vrasjes dhe të nxirren para gjyqit. Besoj se këta njerëz do ti gjejnë autorët. Nuk e shkakroj Jankullovskën”, tha Gruevski.

Ai porositi LSDM-në që të mos ta keqpërdorin këtë situatë dhe tha që struktura aktuale e MPB-së me të gjitha dobësitë e veta është shumë më profesionale se shërbimet e LSDM-së kur ajo ishte në qeveri. 

“Ju i kritikoni aksionet në të cilat arrestohen kriminelë si për shembull “Detonator”, por i gjykuat edhe ata para asaj. Qytetarëve nuk mund tju kujtohet asnjë aksion kundër krimit gjatë kohës kur ju ishit në qeveri. Qeveria e atëhershme i toleronte dhe bashkëpunonte me kriminelët. Në kontekst të tillë është qesharake kur dëgjojmë se si e kritikoni MPB-në pse shkatërroi një bandë kriminelësh dhe e nxori para gjyqit, i cili veçmë kishte filluar me procedurë.”, tha Gruevski.

Në lidhje me këtë reagoi deputeti Ivanovski i cili theksoi se nuk mund të varet siguria nga karrigia e Jankullovskës. 

“Kushedi për të satën herë po e mbroni Jankullovskën dhe po e merrni përsipër tërë përgjegjësinë për këtë që po ndodh në Maqedoni”, theksoi Ivanovski./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button