Sjellja e nxënësve përkeqësohet, rreth 40 mijë vizita u realizuan te psikologët e shkollave fillore dhe të mesme

Dukuria e shfaqjes së dhunës dhe agresivitetit në shkolla po shkon duke u rritur, ku në shkollat fillore dhe të mesme në vend ka pasur mbi dy mijë konsultime me psikologë, për shkak të sjelljes joadekuate të nxënësve. Madje rreth 300 raste kanë përfunduar në qendrat për punë sociale, pasi që shkollat nuk kanë mundur të ballafaqohen me ato, shkruan Portalb.mk.

Psikologia Jetmira Bela thotë për Portalb.mk tha se prindërit duhet të punojnë më shumë me fëmijët t’i kushtojnë rëndësi sjelljes së tyre dhe të vendosin kufij.

“Familjet në kohët e sodit kanë shumë probleme brenda për brenda, por duhet të kenë parasysh edhe kujdes sepse ato pasqyrohen edhe te fëmijët. Gjithashtu diçka që mungon te ne si shoqëri është vendosja e kufijve për fëmijët, ku prindërit nuk janë fare të kujdesshëm për atë se çfarë sheh fëmija i tyre në internet, me kë shoqërohet etj. Tani më edhe më të vegjlit kanë celularë smart me të cilin mund lirshëm të kyçen në internet dhe të shohin gjëra jo adekuate për moshën e tyre, gjë që mund të çojë më pas në sjellje të pahijshme, agresiviteti e dhune”, tha për Portalb, Bela.

Psikologia e gjimnazit “Zef Lush Marku”, Engjëllushe Limani tha kohë më parë për Portalb.mk se agresiviteti i nxënësve në shkollat e mesme është duke u rritur në mënyrë drastike.

“Gjendja momentale është shumë brengosëse, sepse numri i nxënësve problematik, të cilët shfaqin edhe shenja agresiviteti shkon duke u rritur dukshëm. Është shqetësues fakti se këta fëmijë nesër mund të devijojnë dhe të shndërrohen në delikuent”, tha Limani.

Ajo identifikoi disa arsye të paraqitjes së sjelljes agresive te të rinjtë: qasja e tepërt në internet dhe e pakufizuar në atë se çka mund të shikohet e çka jo, problemet familjare pasqyrohen te të rinjtë, kujdesi i paktë dhe sjellja neglizhente e mësimdhënësve.

Me zhvillimin e teknologjisë gjithashtu mënyra e ngacmimit apo bullying siç e quajnë amerikanë është në rritje e sipër, ku përveç dhunës fizike tani po zhvillohet edhe ajo virtuale.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për Fakulteti.mk ka publikuar të dhëna lidhur me projektin “Këshilla për prindërit”, implementimi i së cilës është nën shërbimet pedagogjike.

Sipas këtyre të dhënave në vitin shkollore 2014/2015 ka pasur gjithsej 18 mijë e 593 vizita të nxënësve te psikologu apo pedagogu, nga të cilat 11 mijë në shkolla të mesme dhe 7 mijë e 763 në shkolla fillore. Pjesa më e madhe e vizitave ka qenë për shkak të suksesit të dobët, mungesave të shumta dhe sjelljes joadekuate.

Në vitin shkollore 2015/2016 ka pasur 15 mijë e 111 këshillime, kurse për këtë vit ka të dhëna vetëm për gjysmëvjetorin e parë, ku numri arrin në 5 mijë e 176.

Nga MASH thonë se këtu është paraqitur numri i plotë i këshillimeve dhe jo numri i nxënësve apo prindërve që morën pjesë në to. Në shumë raste është përsëritur vizita nxënësve të caktuar te psikologu apo pedagogu.

Ndërkaq për tre vite pedagogët dhe psikologët e shkollave në Maqedoni janë vizituar rreth 40 mijë herë nga prindërit e nxënësit për probleme të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button