Presidenti Topi sot nis takimet zyrtare në Shkup

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi prej mbrëmë po qëndron për vizitë zyrtare treditore në Maqedoni. 

Këtë herë, ai është i ftuar nga homologu i tij, presidenti Gjorgje Ivanov, të cilin do ta takojë sot, sikurse edhe kryeministrin Nikolla Gruevskin dhe liderin e Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovskin.

Sipas agjendës së paraparë, presidenti Topi sot do të nis takimet zyrtare, ku paradite do të pritet nga homologu i tij vendas Gjorgji Ivanov, me ç`rast pas takimit do të ketë një konferencë të përbashkët. 

Presidenti shqiptar pasdite do të takohet me kryetarin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, më pas takimet me kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, kryeministrin Nikolla Gruevski, ndërsa një darkë pune solemne në mbrëmje është organizuar nga zëvendëskryeministrja për evrointegrime Teuta Arifi. 

Të nesërmen presidenti shqiptar do ta takojë liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin, sikurse edhe atë të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçin. Topi do të qëndrojë edhe në fshatin Gradec të Gostivarit, ku do ta vizitojë përmendoren e ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e parë shqiptare, Mehmet Pashë Derralla. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button