Thaçi: Nuk përdori dhunë në veri!

Kryeministri Hashim Thaçi, u ka folur deputetëve të koalicionit në seancën e jashtëzakonshme për veriun, pasi deputetët e opozitës e kanë bojkotuar fjalimin e tij. Këtë veprim, kryeministri e ka quajtur si ‘thikë pas shpine për elektoratin e opozitës’, pas gjithë atyre akuzave që ajo ka bërë ditëve të fundit lidhur me veriun. Ai po ashtu ka kërkuar nga Albin Kurti të sqarojë takimin e nënkryetarit të Vetëvendosjes me ministrat e Tadicit.

Në fjalimin e tij, Thaçi e ka akuzuar opozitën se me reagimet e veta për situatën në veri po e fajëson komunitetin serb, dhe se qeveria, e ai në krye të saj, nuk janë të interesuar që në këtë pjesë të vendit të përdorë dhunën.

“Dhuna është një kapitull i shkuar dhe Kosova nuk do përdorë. Por Kosova, gjithashtu, nuk do të lejojë të shkelet asnjë centimetër i tokës së saj”, ka thënë Thaçi.Duke folur për arrestimin e dy policëve të Kosovës, kryeministri i dërgoi mesazh edhe Policisë së Kosovës.

“Nuk duhet të lejohet cenimi i territorit të Kosovës për asnjë milimetër. Xhandarmeria serbe ka qenë në uniformë, policët tanë kanë qenë në uniformë, ata kanë qenë të armatosur, policët tanë kanë qenë edhe më mirë të armatosur”, tha kryeministri duke lënë të kuptohet se policia në të ardhmen duhet të reagojë dhe mbrojë me përgjegjësi vijën kufitare.

Duke folur edhe njëherë për zgjedhjet e Serbisë, kryeministri Thaçi theksoi se nuk do të lejohet votimi i asnjë palë zgjedhjeve serbe në veri, por do të lejohet vetëm votimi me postë i atyre që, siç tha ai, kanë dyshtetësi.Thaçi gjatë fjalimit të tij e ka akuzuar disa herë opozitën për destruktivitet. Edhe pse nuk ishte i pranishëm, ai e ka pyetur liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të sqarojë takimin e nënkryetarit të Vetëvendosjes (pa cekur emrin), pse është takuar dhe çfarë ka biseduar me ministrat e presidentit të Serbisë, Boris Tadic.

Ndërsa duke folur për vizitën e vet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Thaçi, tha se këtë vizitë nuk mund ta kuptojnë ata që e kanë të ndaluar ta vizitojnë Amerikën, duke aluduar qartë te lideri i Vetëvendosjes, Kurti. Ai përsëriti se deputetët e opozitës do të duhej të ishin të pranishëm derisa kanë thirrur seancën e jashtëzakonshme për veriun, dhe jo të bëjnë zhurmë pa hedhur gjë në dritë. /infokosova

Lajme të ngjashme

Back to top button