Shqipëria i mbush 105 vjet, shqiptarët e Maqedonisë në pozitë jo të kënaqshme

105 vjet pas pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e Maqedonisë nuk janë në pozitë të kënaqshme si në politik, po ashtu edhe atë social, ndërkaq Shqipëria zyrtare fare pak ka kontribuuar për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve jashtë kufijve politik të shtetit. Kështu vlerësojnë kolumnistët e Portalbit, Xhabir Ahmeti dhe Fatmir Sulejmani, në lidhje me gjendjen e shqiptarëve me rastin e 28 Nëntorit, shkruan Portalb.mk.

FATMIR SULEJMANI
Fatmir Sulejmani

“Pozita e shqiptarëve të Maqedonisë nuk është e kënaqshme dhe do të jetë kështu gjersa të ndryshojë kushtetuta e vendit që nuk na konsideron etni shtetformuese, pra plotësisht të barabartë me maqedonasit. Parë në kontekstin e 105 viteve, qëkur u copëtuan padrejtësisht trojet tona, janë bërë disa avancime të të drejtave, por kjo nuk është ajo që kemi pritur të gëzojmë pas ardhjes së demokracisë dhe pavarësimit të vendit, veçmas pas konfliktit të vitit 2001. Mbetet të shpresojmë se qeveria pasgruevskiane do ta ndryshojë kursin e drejtimit të vendit dhe do të stabilizojë raportet përherë të tensionuara shqiptaro-maqedonase, nëpërmjet pranimit të së vërtetës se shqiptarët janë autoktonë, ndaj si të tillë duhet të jenë dhe shtetformues”, vlerëson për Portalb.mk, profesori universitar Sulejmani.

Kolumnisti Ahmeti, thotë se prej 1912 ka ndryshime të mëdha, por për fat të keq ende pozita e shqiptarëve të Maqedonisë nuk është ashtu siç duhet të jetë në një shtet evropian.

“Pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë do ta krahasoja me pozitën e arbëreshëve në Itali. Ata janë një pakicë shumë më e vogël se këtu dhe kanë pozitë shumë më të avancuar se ne. Ne s’jemi dhe nuk duhet të trajtohemi si pakicë, ndërkaq nga ana tjetër të gjitha pakicat në Evropë kanë të drejta shumë më të mëdha se ne. Merreni me mend ne nuk kemi mundësi as një emër të shkollës ta ndërrojmë, asnjë emër rruge ta ndërrojmë dhe me vështirësi të mëdha bëhet ligji për gjuhët dhe ai ligj përsëri nuk do ta barazojë gjuhën shqipe me maqedonishten.  Përsëri gjuha shqipe do të jetë gjuhë e dytë, përsëri gjuha shqipe do të aplikohet krahas me maqedonishten, apo do të jetë si një lloj bishti i maqedonishtes, pra pa pasur dokument maqedonisht nuk do të vleje dokumenti në gjuhën shqipe”, vlerëson për Portalb.mk Ahmeti.

Sipas Ahmetit, ajo që mund të shquhet si pozitive është se tani bashkësia ndërkombëtare i ka ndërruar mjaft qëndrimet ndaj faktorit shqiptar, edhe pse, sipas tij, ende nuk janë në nivelin e duhur për mbrojtjen e interesave shqiptare.

Shqiptarët e Maqedonisë, nuk janë hall i Shqipërisë

Ahmeti dhe Sulejmani vlerësojnë se Shqipëria zyrtare nuk ka bërë aq sa duhet, për të mos thënë fare për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni. Sipas tyre, ajo ka qenë indiferente ndaj ngjarjeve me rëndësi të madhe, duke mos ndërhyrë për të mbrojtur popullatën shqiptare të Maqedonisë.

Xhabir Ahmeti
Xhabir Ahmeti

“Shqipëria si shtet amë ka bërë fare pak për ne, për të mos thënë se s’ka bërë hiq. Ajo vazhdimisht ka ndjekur ngjarjet nga distanca dhe ka reaguar post festum edhe atëherë kur pushtetet e papërgjegjshme të Maqedonisë kanë bërë krime mbi shqiptarët, duke u sulur mbi vendbanimet e tyre me tërë makinerinë policore e ushtarake, madje duke vrarë dhe njerëz të pafajshëm, vetëm për t’i frikësuar dhe disiplinuar ata. Po përmend këtu vetëm disa raste të ndëshkimeve të tilla, si në Gostivar, Brodec, Kumanovë e gjetiu, për të cilët Shqipëria e ka pasur për obligim të luajë rolin e Nënës, jo të njerkës”, thotë profesor Sulejmani për Portalb.mk.

Në të njëjtën linjë është edhe Ahmeti i cili thotë se, Shqipëria ka harxhuar energji vazhdimisht për problemet e saja të brendshme, duke mos u angazhuar për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të saj, në këtë rast, shqiptarët e Maqedonisë.

“Fare pak ka kontribuar Shqipëria zyrtare për shqiptarët në Maqedoni, pasi që vazhdon  të luftojë me probleme të dorës së dytë, probleme terciare, zhurmë rreth drogës dhe aty harxhohet gjithë energjia, thua ti se s’ka probleme të tjera. Atje gjatë kohës së Enver Hoxhës, në njëfarë mënyre është heshtur çështja shqiptare përpara popullit shqiptar dhe ata fare nuk janë të interesuar për gjendjen matanë kufirit politik”, thotë Ahmeti.

Ndryshe, si sot, 105 vjet më parë, delegatë nga e gjithë Shqipëria, mbërritën në Vlorë, për të ngritur flamurin, atë që në histori njihet si Dita e Flamurit. Në atë kohë, kryengritjet të shumta, shpërthyen në të gjitha zonat e Ballkanit.

Disa shtete të tjera, si Greqia e kishin fituar pavarësinë më përpara. Perandorisë Osmane, e cila ekzistoi për rreth pesë shekuj, tashmë i kishte ardhur fundi. Në 28 nëntor 1912, plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, rreth orës 14:00, përpara qindra njerëzve ngriti flamurin kombëtar, duke shpallur në këtë mënyrë pavarësinë e Shqipërisë.

Pak muaj më vonë, goditja e madhe e flamurit të Bashkimit, u dha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku Shqipërisë etnike iu copëtuan disa pjesë, duke lënë jashtë territorit të Shqipërisë shumë zona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button