Serbia – Senzacionalizëm për ngjarjet në Maqedoni

Senzacionalizëm dhe trillime janë karakteristikat kryesore të një pjese të mediumeve në Serbi të cilët raportojnë, shkruajnë edhe komentojnë për ngjarjet në Maqedoni, lajmëron korrespondentja i REL nga Beogradi, Branka Triviq.

Derisa një pjesë e mediumeve në Serbi përcjellin informata të sakta dhe të sigurta në lidhje me krimin që tronditi Maqedoninë, pothuajse çdo ditë mund të gjenden artikuj senzacionalë dhe të mbushur me trillime, të cilët sugjerojnë krim të motivuar etnikisht si dhe lajmërojnë burime të paemëruara për gjoja ikje të vrasësve në Kosovë dhe japin lajmërime të pakonfirmuara se maqedonasit përgatiten për hakmarrje.

Me rastin e vrasjes së pesëfishtë me titull: “Maqedoni: çelësi i vrasjes është tek dëshmitari sekret”, agjencia e lajmeve shtetërore Tanjug, në nëntitull thotë se vrasësit, “të cilët me siguri kanë ikur në Kosovë”, kanë parë dëshmitarin, identiteti i të cilit nuk është zbuluar me qëllim që hetimi të zhvillohet në mënyrë më të suksesshme.

Gazeta “Novosti”, nga ana tjetër, duke u bazuar në informatat e burimeve të paemërtuara, gjaja se afër hetimeve, shkruan se sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, katër të vrarit në Maqedoni u ekzekutuan nga së paku tre ose katër profesionalistë të ushtruar mjaft mirë. “Novosti” gjithashtu shkruan se përveç veturës së gjetur të markës “Opel” është gjetur edhe një xhip në afërsi të vendkalimit kufitar Bllacë.

Supozohet se këto vetura janë përdorur pas krimeve të kryera nga ana e vrasësve të cilit kanë ikur, ndoshta në anën tjetër të kufirit me Kosovën.

Nën titullin “Digjet një shtëpi shqiptare”, portali Kurir në nëntitull shkruan: “Maqedonasit i vunë zjarrin një shtëpie të një shqiptari në fshatin Radishan në shenjë hakmarrjeje për vrasjen.” Duke cituar analistë të paemërtuar vendas, Kurir shkruan se gjëja kyçe është që të zbardhen vrasjet me qëllim që tensionet ndëretnike të mos kalojnë në luftë civile.

Edhe pse hetimi ende nuk ka zbuluar kryesit e kësaj masakre, ky portal thotë se maqedonasit mendojnë se përgjegjës janë shqiptarët. 

Tabloidi Pravda shkoi edhe më larg, i cili, duke raportuar për ndodhitë në Maqedoni publikoi titullin ”Maqedonasit duan hakmarrje”, pavarësisht nga fakti se me asgjë në tekst nuk është vërtetuar një gjë e tillë. /rel

 

Lajme të ngjashme

Back to top button