Gostivari shënoi Ditën e mbretëreshës së Holandës

Gostivari këtë vit ishte qyteti i përzgjedhur nga Ambasada e Holandës, për të shënuar ditën më të rëndësishme për popullin holandez, Ditën e mbretëreshës  Beatriks.

Dita e mbretëreshës u shënua në atmosferë pune dhe atmosferë festive. 
Disa nxënës dhe arsimtarët e vizatimit zbukuruan mjediset brenda dhe jashtë shkollës, si dhe vendosën në korniza 30 vizatime të përzgjedhura të punuara nga nxënësit.

Nxënësit tjerë me arsimtarët e muzikës dhe të edukatës fizike kishin përgatitur një program të pasur kulturor, me këngë dhe valle shqiptare, maqedonase, turke dhe rome, si dhe pikë ritmike me muzikë të huaj.

Zëvendës ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Hert Kampman duke falënderuar përfaqësuesit e pushtetit lokal, arsimtarët, prindërit e posaçërisht nxënësit e kësaj shkolle, tha se ndjehet shumë i lumtur që gjendet në mesin e këtyre nxënësve kaq të mirë dhe të zellshëm dhe se me gjithë qejf do t’u bashkëngjitej atyre në  pikat muzikore të cilat i performuan. 

“Gjatë muajit prill, ne e shënojmë Ditën e mbretëreshës dhe përveç se në Shkup, organizojmë manifestime edhe në ndonjë qytet tjetër. Tani e shoh se paskemi bërë përzgjedhjen e vërtetë. Slogani ynë zyrtar për sivjet është ‘Bën një lëvizje, ngjyrose botën tënde’, dhe ju e bëtë këtë sot”, theksoi numri dy i ambasadës holandeze,  Kampman.

“Jo rastësisht e zgjodhëm këtë shkollë, sepse këtu mësimi zhvillohet në tri gjuhë, ndërsa mësojnë nxënës të të katër komuniteteve më të përfaqësuara në Gostivar. Me aktivitetet të cilat në harmoni i zhvillojnë sot nxënësit e shkollës ‘Bashkimi’, ne dërgojmë një mesazh pozitiv jo vetëm në qytetin tonë, por edhe në mbarë vendin, pikërisht në këto ditë kur në vendin tonë ndodhin disa dukuri jo të pëlqyeshme”, theksoi kryetari i Këshillit të Komunës ë Gostivarit, Fadil Zendeli.

Drejtori i shkollës, zv/ambasadorit Kampman, kryetarit të këshillit Fadil Zendeli dhe udhëheqësit të Departamentit për arsim Shpend Kaprolli, u dhuroi nga një vizatim të punuar nga nxënësit.

/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button