ITKSHSH, mbroni trashëgiminë kulturore të shqiptarëve

Studiues, profesorë universitar dhe ekspertë nga fusha e trashëgimisë kulturore përmes një Memorandumi kërkojnë nga institucionet e shtetit, partitë politike, ambasadat dhe misionet diplomatike ndihmë në mbrojtjen  e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në Maqedoni.

Memorandumi u nënshkrua pas mbarimit të tryezës së rrumbullakët me të njëjtën temë që e organizoi  Instituti për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoni, për nder të 18 prillit, ditës botërore të trashëgimisë.

Trashëgimia kulturore është një pjesë e kulturës së një populli, një pjesë e cila e identifikon atë dhe  dëshmon lashtësinë e tij tha drejtori  Institutit, Shefqet Zekolli.

‘Për fat të keq ne jemi dëshmitar të shumë shtrembërimeve, hajnive, sajimeve  dhe falsifikimeve të ndryshme që i janë bërë trashëgimisë sonë  dhe historisë sonë. Për fat të keq, shpesh herë këto janë bërë edhe nën patronatin e vet shtetit, dhe tani këtu në Maqedoni kur ne kemi një institut, siç është instituti për trashëgimi kulturore, krahas edhe institucioneve tjera,  universiteteve, konsiderojmë se është duke u bërë një punë e rëndësishme për ti ndaluar, dhe për tu ballafaquar me këto sajesa dhe shtrembërime të cilat ata të cilët nuk kanë të bëjnë asgjë me kulturën dhe shkencën po e bëjnë’,  tha Shefqet Zekolli, drejtor i ITKSHSH-së.

Deri tani trashëgimia kulturore shqiptare nuk ka pasur përkujdesje shtetërore, po vetëm individuale, tani, sidomos dhjetë vitet e fundit me emërimin e shqiptarëve në krye të drejtorive siç është ajo e konservimit mundohemi që të kontribuojmë në këtë drejtim,  deklaroi Muzafer Bislimi, sekretar shtetëror në Ministrinë e kulturës.

‘Ne si Ministri e kulturës jemi munduar  shumë që të kalojnë projekte të cilat kanë të bëjnë me kulturën shqiptare, nuk po them se kemi arritur ku ta di çfarë por, sado kudo kemi arritur që çdo vjet të ketë libra dhe projekte cilësore të kulturës shqiptare’, tha Bislimi.

Ish drejtori i Qendrës konservatore dhe anëtar aktual i komisionit parlamentar për trashëgimi, Behixhudin Shehapi tha se shumë objekte në Maqedoni dhe që kanë të bëjnë me periudhën osmane, janë me autorë dhe pronar shqiptar, siç janë kullat e Jahja pashës në Shkup dhe Abdurrahman pashës në Tetovë, dhe këto janë trashëgimi islamo-shqiptare, tha Shehabi.

Interesim të veçantë në tryezë paraqiti prezenca e studiueses dhe albanologes gjermane Silke Majer  e cila si albanologe, në mungesë të teksteve objektive, nuk kishte arritur të dijë shumë për trashëgiminë shqiptare të Shkupit.

‘Jam befasuar, unë deri tash nuk kam ditur shumë mbi historinë e shqiptarëve në Shkup dhe për atë se çfarë influence ata kanë, dhe kjo  duhet të shpjegohet botës dhe tu komunikohet maqedonasve, sidomos tani kur ka paragjykime të mëdha, mendoj se tani është më mirë me e hap gojën dhe tu tregohet çfarë kontributi kanë dhënë shqiptarët për kulturën në Shkup’ tha albanologia gjermane Majer.

Nga Instituti ftuan të gjithë intelektualët, studentët dhe qytetarët që përmes ofrimit të objekteve që dëshmojnë trashëgiminë tonë kulturore të kyçen në Institut, pasi siç tha edhe drejtori Zekolli, ai nuk u takon vetëm të punësuarve por të gjithë shqiptarëve.

/Portalb/ 

Lajme të ngjashme

Back to top button