Shkup, Oda e mjekëve vendosi t’ia merr lejen e punës gjinekologut që kishte gënjyer pacienten se është shtatzënë

Oda e mjekëve vendosi t’ia merr lejen e punës mjekut gjinekolog Nikollçe Damçevski i cili nëntë muaj e ka gënjyer një grua duke i thënë që është shtatzënë duke i dhënë kështu dhe terapi që ia ka vënë jetën në rrezik, transmeton Portalb.mk. Vendim të këtillë ka marrë Këshilli i shkallës së dytë në kuadër të Gjykatës së nderit të Odës së mjekëve në mbledhjen e mbajtur më 23 nëntor ku është vendosur për ankesën e mjekut në lidhje me vendimin paraprak të shkallës së parë të Gjykatës së nderit të Odës së mjekëve që kishte vendosur mjekut t’i merret leja për 7 vite.

“Anëtarët e Këshillit të shkallës së dytë e kanë shqyrtuar ankesën e mjekut dhe kanë miratuar vendim me të cilin e vërtetojnë vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së nderit. Me këtë vendim, dr. Nikollçe Damçevski është shpallur fajtor për rastin kur ka mjekuar dhe ka zbatuar veprime të ndryshme te pacientja të cilës i ka thënë që është shtatzëne por ajo nuk ka qenë. Në gjithë këtë periudhë të ashtuquajtur të shtatzënisë, ai i ka dhënë asaj terapi për shtatzëninë deri në terminin e lindjes kur më pas i ka treguar që nuk është shtatzënë. Me këto veprime, sipas Gjykatës së nderit, mjeku i ka shkelur aktet e Kodeksit medicinal kështu që atij do t’i merret leja e punës për shtatë vite” kumton Oda e mjekëve të Maqedonisë.

Vendimi i Odës së mjekëve është përfundimtar dhe mjeku Damçevski nuk ka të drejtë ankese. 

Ndryshe, edhe Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër mjekut gjinekolog Nikolla Damçevski, i cili, siç thuhet në kumtesë, nga periudha prej në shtator të vitit 2015 deri në prill të vitit 2016  ka prezantuar gjendje shtatzënie të simuluar e të rreme të një gruaje e cila më parë ka pasur pllenim biologjik të asistuar, njofton Portalb.mk.

Mjeku akuzohet se ka kryer vepër penale – Vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve nga neni 217 paragrafi 1 me nenin 207 paragrafi 1 të Kodit Penal dhe vepër penale falsifikim të dokumenteve nga neni 378 paragrafi 3 me nenin 45 të Kodit Penal.

Nga PTHP-ja shpjegojnë se mjeku edhe pse e ka ditur se gruaja nuk është shtatzënë, ndaj saj ka kryer kontrolle të rregullta gjinekologjike me aparat për eho, ka bërë inçizime të rrejshme të fetusit, ka prezantuar të dhëna të rrejshme për rrahjen e zemrës, e ka matur gjatësinë dhe peshën e fetusit, ka përcaktuar gjininë e fetusit, ka bërë edhe raport me shkrim rreth shtatzënisë, si dhe ka bërë edhe termin për datën e lindjes. Para ditës kur u bë marrëveshja për gjoja se do lindë, i dyshuari ia zbuloi së pari shtatzëninë e rreme bashkëshortit të gruas dhe pastaj gruas.

Rastin e ka zbardhur NOVA, pas të cilave arritën edhe një numër i madh i dëshmive edhe nga gratë tjera “viktima” të gjinekologut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button