Dade: PS shqetësim për situatën në Maqedoni dhe në Veriun e Kosovës

Partia Socialiste e dënon prerë dhe ashpër vrasjen e pesë qytetarëve të Maqedonisë në afërsi të Shkupit dhe shpreh ngushëllimet e saj familjeve të viktimave. Sipas deputetes dhe ish ministres Arta Dade ky krim  ka tronditur jo vetëm Maqedoninë, por dhe mbarë rajonin.

“Viktimat e këtij krimi në radhë të parë ishin pesë qytetarë të Maqedonisë ndërsa autorët mbi të gjitha kriminelë. I bëjmë thirrje opinionit publik atje të qëndrojë larg nxitjes së frymës së urrejtjes ndëretnike.

Në këtë kontekst mbështesim reagimin e vendosur të autoriteteve maqedonase të rendit për parandalimin e akteve të dhunës dhe garantimin e sigurisë së çdo qytetari”, theksoi Dade.
Është në filozofinë dhe praktikat e Partisë Socialiste të Shqipërisë, vijoi ajo, që të mbështesë bashkëpunimin ndëretnik në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit atje, si dhe bashkëpunimin rajonal si parakusht për integrimin e të gjithë rajonit në Bashkimin Europian dhe në strukturat euroatlantike.

Partia Socialiste dënon po ashtu ashpër tensionimin e situatës dhe incidentet në veriun e Kosovës. PS mbështet reagimin e autoriteteve të qeverisë së Kosovës, si shtet unitar i pavarur dhe demokratik.

PS i bën thirrje autoriteteve të Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar të pranishëm atje të bashkëpunojë me qeverinë e Kosovës për sundimin e ligjit dhe për nxitjen e proceseve integruese në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button