Reformat në DSK, OJQ-të kërkojnë të bëhen pjesë e grupit të ekspertëve

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot, para sektorit civil ka prezantuar masat e gjashtëmujorit të Planit 3-6-9. Pas publikimit të masave, përfaqësuesit e sektorit civil parashtruan kritika që kishin të bënin kryesish me kufizimin e punës së Qeverisë vetëm në Planin 3-6-9 duke kërkuar që prioritetet t’i shpërndajë edhe në sferat tjera të shoqërisë, si arsim, sociale dhe ekologji dhe se Kuvendi i Maqedonisë është shndërruar në “makineri legjislative” duke miratuar me dhjetëra propozim-ligje për një seancë kuvendore, raporton Portalb.mk.

Krahas kritikave të lartshënuara, pjesëtarët e organizatave joqeveritare kërkuan përfshirje të tyre në reformat e Drejtorisë për Siguri për Kundërzbulim (DSK).

“Sa i takon reformave në DSK deri më sot për të njëjtën nuk është mbajtur asnjë debat publik. Sërish për fatin e DSK-së do të vendos Ministria e Punëve të Brendshme, gjë e cila lë hamendësime se reformat do t’i lihen vullnetit politik. Në grupin e punës së reformave nuk është përfshirë asnjë organizatë joqeveritare. Edhe pse grupi punues ka 30 anëtarë, asnjë nuk është nga sektori civil. Kjo duhet të ndryshohet në të ardhmen dhe OJQ-të të bëhen pjesë e reformave në DSK”, thanë nga OJQ “Zenet”.

Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani tha se shkak se OJQ-të nuk kanë qenë pjesë e reformave në DSK ka të bëjë se deri tash është punuar në dokumente të klasifikuara, por kjo do të ndryshojë në të ardhmen.

“Sa i takon përfshirjes së OJQ-ve në procesin e reformave të DSK-së, kërkesën e OJQ-ve do ta marrim parasysh dhe do të shqyrtojmë. Do të përgjigjemi se si do të veprojmë më tej, sepse nëse e keni fjalën për reformat që udhëhiqen nga Siljan Avramovski, deri më tash është punuar në të dhëna të klasifikuara, dhe jo çdonjëri mund të ketë qasje në to. Kur të arrijmë në një fazë tjetër, do të gjejmë mënyra se si sektori civil do të përfshihet në këto reforma”, tha Osmani.

Ndërkohë Qeveria e Maqedonisë ka formuar grup për reforma në DSK, ku si kryetar është emëruar agjenti, Siljan Avramovski, me emrin e të cilit lidhen një sërë skandalesh gjatë karrierës së tij. Përfshirja e Siljanovskit në afera të dyshimta daton që nga viti 1996, ku në tetor të po këtij viti, kishte helmim masiv të nxënësve në Tetovë, ndërkaq në opinion ka pasur akuza dhe dyshime për përfshirje të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror në këtë rast për qëllime politike, ku pjesë e të cilës ka  qenë edhe Siljanovski, në pozitën e drejtorit për Punë Operative në Sigurinë Shtetërore.

Agjencia ATO të formohet nga Kuvendi, e jo Qeveria e Maqedonisë

Nga Instituti për Hulumtime Humane shtuan se: “Reformat që realizohen në DSK duhet të hapen e mos t’i nënshtrohen vetëm vullnetit politik sepse mund të bëhet fjalë për robërim të tij nga pushteti ekzekutiv. Kjo ka dy arsye, e para ka të bëjë që DSK të largohet plotësish nga sistemi i përgjimeve dhe e dyta që agjencia që do të formohet të formohet nga Kuvendi e jo Qeveria e Maqedonisë. Me formimin e Agjencisë ATO nga Kuvendi i Maqedonisë do të mund të realizohen kërkesat e Pribesë dhe Komisionit Evropian”.

Nga ana tjetër, Osmani bëri të ditur se Agjencia ATO do të formohet nga ekspertë, përfshirë edhe bashkëpunëtorët e Rejnhard Pribe-së.

“Do të formohet një agjenci e veçantë, por besoj se deri te formimi i kësaj agjencie do të jenë të pranishëm të gjithë palët e përfshira. Formimi i agjencisë nuk duhet të shikohet si dëshirë e atyre që janë në pushtet, por është iniciativë e ekspertëve të grupit që punon në këtë drejtim përfshirë këtu edhe ekspertët e Pribesë”, sqaroi më tej Osmani, raporton Portalb.mk.

Plani 3-6-9, përveç reformat në administratë, DSK dhe gjyqësor duhet të përfshijë reforma edhe në sferën e arsimit, sociales dhe ekologjisë, kërkuan OJQ-të.

Siç vlerësoi Dona Kosturanova nga Forumi Rinor Arsimor, qëllimi i përfshirjeve të sferave tjera shoqërore në reformat e Qeverisë së Maqedonisë lidhet me atë që të dihen strategjitë që parashihen për secilën sferë.

“Qeveria e Maqedonisë tërë energjinë e saj e ka fokusuar në realizimin e prioriteteve të dala nga Plani 3-6-9, realizimin e reformave në administratën publike, Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe gjyqësor. Duhet që politika e Planit 3-6-8 të shpërndahet edhe në sfera tjera të rëndësishme si arsimi, socialja, ekologjia dhe sporti. Kjo kërkohet që ne, si sektor civil të dimë se çfarë strategjie parashihet në secilën sferë të shoqërisë që të dihet edhe ne si të veprojmë”, tha Dona Kosturanova nga Forumi Rinor Arsimor.

Në lidhje me këtë, Osmani tha: “Se kjo është një ide e mirë, do t’ua propozojë edhe ministrive që të marrin si model Planin 3-6-9 në realizimin e planeve akcionale”.

Nga OJQ-të u kërkua që Kuvendi i Maqedonisë të mos i miratojë ligje vetëm me procedurë të shkurtuar dhe me procedurë të përshpejtuar, sepse siç vlerësuan ata “kështu Kuvendi kalon në makineri legjislative”.

Përndryshe, të gjitha këto vlerësime u thanë sot në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane, në tribunën me sektorin e civil, në të cilën zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, prezantoi rrumbullaksimin, duke i vënë theks të veçantë pjesëve të planit- pjesët gjashtë dhe nëntë.

“Me propozimin e sektorit civil, në Strategjinë për reforma, parashikohet sjellja e më shumë ndryshimeve ligjore,  përfshirë edhe ligjit për prokuror publik, me të cilat do të rregullohet statusi dhe kompetencat e PPS-së, përforcimi i kapaciteteve të Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik, ndryshimet e Ligjit për procedurë penale e të ngjashme”, tha Osmani.

Ai gjithashtu theksoi edhe sugjerimet e pranuara të sektorit civil edhe në reforma të shërbimeve sekrete  si dhe ne reformat e Administratës publike, të cilat së bashku me reformat në gjyqësor paraqesin fusha prioritare gjatë implementimit të Planit.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button