Ministri Tevdovski elaboroi Buxhetin 2018: Rritje më e lartë, paga më të mëdha dhe kthimi i borxheve

Debati kuvendor për Propozim-buxhetin për vitin 2018 filloi sot në Komisionin amë për financim dhe buxhet. Qeveria, siç elaboroi ministri i Financave, Dragan Tevdovski, paralajmëron shpenzimin e parave të popullit në masa të vërteta të cilat do të kontribuojnë për përmirësimin e ekonomisë dhe jetës së qytetarëve dhe jo, siç tha në projekte të panevojshme.

“Në Propozim-buxhetin për vitin 2018 janë paraparë disa mjete për shtyllat kyçe të shoqërisë si rroga më të larta në Armatë, shëndetësi, arsim dhe përkujdes për fëmijët. Ka më shumë mjete për afrim drejt standardeve të NATO-s, për mbështetje të ndërmarrjeve vendore dhe për masa për punësim, si dhe për investime kapitale. Ndërkaq ka edhe për kthim të borxheve të marra paraprakisht dhe të obligimeve të hasura të papaguara”, theksoi Tevdovski.

Ai shtoi se Propozim-buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2018 është reflektimi më i mirë i angazhimit të Qeverisë së re për arritjen e qëllimeve dhe prioriteteve kyçe të shoqërisë, si shkallë më të larta të rritjes së ekonomisë, rritje të punësimeve, ngritje të standardit jetësor të popullatës, arritje e nivelit më të lartë të drejtësisë sociale dhe intensifikim të proceseve integruese për në BE dhe në NATO.

Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit të konsoliduar për vitin 2018 planifikohen në nivel prej 193.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet planifikohen në nivel prej 211.7 miliardë denarë, gjegjësisht 3,4 miliardë euro.Kështu të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara rezultojnë me deficit buxhetor në nivel prej 18.2 milionë denarë në vlerë absolute, gjegjësisht 2,7 për ind të BPV-së.

LEXO: АNALIZË: Do të ketë para për plazhe, gazifikim, sheshin Skënderbeu, shkollat…

Kjo, thotë Tevdovski, paraqet zvogëlim të deficitit prej 2,9 për qind në vitin 2017, që më së miri e reflekton përcaktimin e Qeverisë për konsolidim fiskal gradual, i cili do të arrihet përmes kontrollit rigoroz dhe disiplinës buxhetore të fuqishme gjatë zvogëlimit të më pak shpenzimeve produktive, me sigurimin e shumës së konsiderueshme të investimeve kapitale dhe subvencioneve për mbështetjen e ekonomisë vendore si dhe mjeteve për nivel më të lartë të drejtësisë sociale.

Sipas Tevdovskit, kjo qasje në linjë të fundit do të sigurojë përmirësimin e performancave ekonomike dhe të standardit jetësor, si dhe vërtetim për amvisëri dhe punë me përgjegjësi, dhe jo shpërdorim i parave të popullit siç ishte praktikë në të kaluarën.

“Projeksionet për të ardhurat e Buxhetit në vitin 2018 bazohen në realizimin e të ardhurave në vitin vijues 2017, në pritjet për realizimet ekonomike vitin e ardhshëm, si dhe në efektet e korrigjimit të disa taksave të caktuara publike. Më pas, rritja e projektuar e të ardhurave buxhetore prej 4,7 për ind është më e vogël se rritja e BPV-së nominale prej 5,3 për qind, që është edhe një dëshmi se projeksionet makroekonomike dhe fiskale në Propozim-buxhet janë reale. Më saktë, me këtë qasje konservative në projeksionet dëshirojmë ta shmangim përsëritjen e disa problemeve të kaluara me likuidimin e pagesës prej thesarit në të ardhmen, si dhe realizimin e deficitit më të lartë se ai i planifikuar”, theksoi ministri i Financave.

Të ardhurat tatimore për vitin 2018 janë planifikuar në shumë prej 114,8 miliardë denarë, duke e përfshirë edhe efektin e pritshëm tek të ardhurat prej akcizave prej rreth 1,6 miliardë denarë dhe të ardhurave të TVSH-së për rreth 350 milionë denarë në këtë bazë.

Kontributet sociale si të ardhura burimore të fondeve për sigurim pensional dhe shëndetësor dhe të Agjencisë për Punësim janë planifikuar në shumë prej 55,4 miliardë denarë, me ruajtjen e shkallëve të obligueshme për sigurim social dhe për rritjen e kryegjësë maksimale për përllogaritje dhe pagesë të kontributeve prej 12 në 16 paga mesatare për të ardhura prej marrëdhënies së punës dhe këshillave ekzekutiv, gjegjësisht prej tetë në 12 paga mesatare për vetë të punësuarit.

Shpenzimet e përgjithshme të Buxhetit për vitin 2018, të cilat janë planifikuar në shumë prej 211,7 miliardë denarë, janë në funksion të plotësimit të rregullt dhe në kohë të të gjitha obligimeve ligjore, mbështetjen e ekonomisë vendore dhe intensifikimin e projekteve të infrastrukturës, si dhe kthimin e pjesshëm të borxheve të vjetra.

Shpenzimet vijuese për vitin 2018 janë planifikuar në shumë prej 187,1 miliardë denarë, të dedikuara për financimin e rregullt të pagave të të punësuarve në sektorin publik, pagesën e rregullt të pensioneve dhe kompensimeve sociale, pagesën e subvencioneve në bujqësi, mbështetjen e përforcuar të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe subvencionimin e aktiviteteve inovative.

Për investimet kapitale është ndarë shumë e konsiderueshme e mjeteve financiare në drejtim të mbështetjes së zhvillimit ekonomik, të përcaktuara në nivel prej 24,6 miliardë denarë, gjegjësisht më të larta për 5,3 për ind prej vitit 2017. Në vitin 2018 është planifikuar intensifikimi i projekteve të infrastrukturës, gjegjësisht për investime për përfundimin e autostradës së Korridorit 10 dhe infrastrukturës hekurudhore, si dhe investimet kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe gjyqësi.

Janë planifikuar 3,5 miliardë denarë për shpenzime kapitale për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore. Në infrastrukturën energjetike dhe komunale, 5,8 miliardë denarë. Për rregullimin e zonave teknologjiko-industriale 431 milionë denarë. Për sektorin shëndetësor 1,9 miliardë denarë, për arsim, mbrojtjen e fëmijëve dhe sport 2,4 miliardë denarë, për mbështetjen e sektorit të bujqësisë 2,6 miliardë denarë, 544 milionë denarë për gjyqësinë…

Ministri theksoi se në vitin 2018 do të jenë të nevojshme 22,7 miliardë denarë për pagesën e borxheve të vjetra me çka nevojat e përgjithshme për financim në vitin 2018, janë 40,9 miliardë denarë. Këto nevoja për financim do të sigurohen përmes kombinimit të detyrimit jashtë vendit dhe në tregun vendor të letrave me vlerë.

Detyrimi jashtë vendit, tha ministri, mund të realizohet përmes lëshimit të euroobligacionit në tregun ndërkombëtar të kapitalit ose përmes tërheqjes së mjeteve prej kredive të volitshme prej institucioneve financiare të huaja dhe linjave kreditore të dedikuara për financimin e disa projekteve të caktuara. Më pas, zgjedhja e burimit konkret për financim të jashtëm do të bazohet në gjendjet vijuese dhe të pritshme në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Me detyrimin në tregun vendor të letrave shtetërore me vlerë do të sigurohet financimi plotësues nën kushte të volitshme, duke i shfrytëzuar shkallët relativisht të ulëta të interesit dhe interesin e lartë të investitorëve në tregun vendor për letra shtetërore me vlerë.

Tevdovski theksoi se me qëllim të optimizimit të pagesave dhe zvogëlimit të rrezikut për refinancim, angazhim kryesore i Ministrisë së Financave do të jetë rritja e afatizimit të letrave me vlerë përmes lëshimit të obilgacioneve shtetërore me afate më të gjata. Krahas kësaj, parashihet edhe akumulim i rritur i depozitave në llogari të buxhetit me qëllim të financimit të rregullt dhe në kohë të obligimeve të cilat skadojnë në afat të mesëm.

Ai shtoi se momenti i akumulimit të depozitave në llogari është veçanërisht i rëndësishëm dhe tregon për udhëheqjen e politikës fiskale përgjegjëse, e cila shikon më larg se afatin e shkurtër. Më saktë, sqaroi, shteti duhet të jetë i gatshëm për kthimin e kredive jashtëzakonisht të mëdha të cilat u morën paraprakisht, ndërsa të cilat duhet të kthehen viteve të ardhshme. Në vitin 2020 dhe 2021 duhet t’i kthejmë rreth 925 milionë euro vetëm në bazë të tre detyrimeve paraprake të mëdha të euroobligacioneve prej 270 milionë euro të lëshuar në vitin 2015, euroobligacionit prej 500 milionë euro të lëshuar në vitin 2014, dhe kësti i dytë prej huasë PBG prej 2013 në shumë prej 155 milionë euro, si dhe pagesa të tjera të borxheve në tregun vendor dhe të huaj.

Tevdovski theksoi se për vitin e ardhshëm projeksioni për rritjen reale ekonomike është 3,2 për qind, që është në pajtim me projeksionet më të reja të institucioneve relevante ndërkombëtare dhe vendore si Banka Botërore, FMN  dhe BPRM, gjegjësisht paraqet, siç tha, edhe një dëshmi për realitetin e zërave në Buxhet. Rritja nominale e BPV-së në vitin 2018 është projektuar në 5,3 për qind.

Debati në Komisionin për financim dhe buxhet për Propozim-buxhetin për vitin 2018 zgjat 10 ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button