Breivik: Në Liberi e njoha mentorin serb

Breivik ka folur për kontaktet e tij me nacionalistët militantë, ndërkohë që prokuroria u përpoq të dëshmojë nëse vërtet ekziston organizata djathtiste “Kalorësit Tempullarë”.

Breivik, i cili në sulmin e tij të përgjakshëm të 22 korrikut të vitit të kaluar vrau 77 njerëz, dha përgjigje të shkurtra, ndërsa në një moment u ndje i ofenduar nga prokurorja, nga e cila kërkoi të mos “tallet”. Gjykatësi e ka paralajmëruar se ka të drejtë të mbetet i heshtur, por edhe se mungesa e përgjigjeve mund të përdoret kundër tij.

“Çdokush mund të bëjë atë çfarë kam bërë unë”, u tha Breivik të mbledhurve në sallën e gjyqit. “Jo gjithkush është i lindur me aftësi të tilla, por secili mund t’i zhvillojë ato”.

Breivik i tha se prokurorisë se në vitin 2001 ka shkuar për një vizitë në Liberi, ku u takua me nacionalistin serb i cili ishte një nga themeluesit e organizatës djathtiste, “Kalorësit Tempullarë”. Ai ka shtuar se ka udhëtuar për takime të grupit në Londër, por nuk ka dashur të flas për temat e diskutimit.

Prokurorja Svein Holden edhe një herë i tha se qëllimi i hulumtimit të saj është të provojë nëse ekzistojnë vërtet “Kalorësit Tempullarë”, pas së cilës Breivik reagoi dhe i tha që të kapet për fakte e të mos tallet.

Holden gjyqit ia paraqiti manifestin e Breivikut me 1.500 faqe, ku ai i ka përshkruar kontaktet me “konservatorët kulturorë serbë”. Në manifest Breivik thotë se serbët kanë bërë hetime shtesë për të qenë të bindur se ai është ideal për organizatën e tyre. Sipas pohimeve të tij, grupi ka synuar të mbledhë qindra ekstremistë në Evropë, për t’i trajnuar për qëllimet e tyre.

Në manifestin e tij, pjesë të të cilit janë botuar vitin e kaluar, Breivik flet edhe për shqiptarët, të cilët i cilëson si njerëz të pamëshirshëm dhe të vendosur. Sipas tij, shqiptarët drejtojnë botën e nëndheshme në Evropë. Ekstremisti i renditë shqiptarët, e në veçanti kosovarët, si pjesë të xhihadit islamik global, që ka si lajtmotiv islamizimin e popujve të Evropës.

“Në planet e dëbimit të pastrimit të Evropës nga islamikët, trojet shqiptare do të jenë një zonë e rëndësishme transiti për një numër të madh të të larguarve”, ka shkruar ai.

Në manifestin e tij ai ka shkruar se është takuar me një serb më 2002, në Monrovia të Liberisë.

Sipas mediave norvegjeze, ai mund të jetë Milorad Ulemek Legija, ish komandat i njësitit famëkeq paramilitar serb, të njohur si Beretat e Kuqe. Se Legija mund të jetë serbi “i Monrovias”, këtë informatë e ka dhënë televizioni NRK1, e pastaj edhe ditorja “Dagbladet”.

Edhe në seancat e mëparshme Breivik nuk ka dhënë detaje tjera, pos që ka shtuar se “mentori i tij ishte hero lufte”./telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button