GJUHA JONË DHE SHATORRASHËT

Kanë vendosur shatorre para Kuvendit dhe bërtasin, bëjnë zhurmë e hedhin parulla kërcënuese. Pastaj thonë se kurrë nuk do të lejojnë që gjuha jonë shqipe të lulëzojë e lirë në kopshtin e vet, e fyejnë dhe e përbuzin me një retorikë të lirë e të vjetërsuar. Në rrugë. 

Kush ashtu? 

Po shatorrashët të cilën janë në derën dalëse të politikës, janë ata që shkojnë në të kaluarën, në margjinat e historisë, në harresë. 

E pse sillen kështu ata? 

Sepse nuk kanë pasur e nuk kanë kurrfarë oferte të hairit për popullin, nuk kanë ide që të propozojnë projekte për  ta nxjerrë këtë vend nga mjerimi e kaosi për çfarë vetë kanë përgjegjësi të madhe,  se kanë pasur mbi një decenie kohë të bëjnë punë të dobishme për të gjithë qytetarët. 

Po çfarë lidhjeje paska gjuha shqipe me shatorrashët që po largohen të pafamë në anonimitet? 

Ka ngase urrejtja kundër gjuhës shqipe dhe përgjithësisht kundër trashëgimisë sonë ka qenë ushqim për shovinistët që nga viti 1912 e deri në këto vite e në fqinjësinë tonë veriore vazhdon edhe sot me të njëjtin  intensitet. Për këtë urrejtje është shpenzuar energji e madhe e propagandës së stërmadhe. Shatorrashët janë vazhdimësi e kësaj urrejtjeje.  Janë pionë të kësaj politike antishqiptare. 

Përse vallë? 

Është e thjeshtë të shpjegohet. Aparati shtetëror rouajalist serb dhe pushteti i pastajmë komunist jugosllav me këtë frymë e mbante gjallë administratën, pandurët, xhandarmerinë dhe tërë pushtetin: të bëhet presion në shumë drejtime mbi popullsinë e pafajshme shqiptare. Dhe, kështu me masat e ndryshme johumane ua bënin  jetën të padurueshme shqiptarëve. Kështu u dëbuan me qindra mija shqiptarë nga vatrat e  tyre nga tërë Serbia e sotme. Ka mbetur një numër i vogël shqiptarësh në jugun e skajshëm të Serbisë dhe një numër mjaft i madh në Maqedoni, ndonëse edhe këtu disa qytete janë zbrazur tërësisht. Shatorrashët do të kishin dashur ta realizojnë tërësisht planin e qeverive mbretërore dhe komuniste jugosllave. Deri sa ta realizojnë do të kishin dashur të na mbajnë nën çizmen e vjetër. Mund të kenë edhe plane të tjera. Ku ta dish. 

A është e mundur? 

E mundur është, si jo. Nuk ka mbetur sot asnjë shtëpi shqiptare në Nish, në Leskovc, në Lebane, në Prokuple, në Berovë, në Kratovë… e në shumë vende të tjera.  

Edhe një herë për shatorret. Çfarë kërkojnë sot shatorrashët?  

Shatorashët janë aktivistë të VMRO DPMNE-së, përkatësisht të koalicionit të gjerë të udhëhequr nga kjo parti. Këta njerëz e kanë humbur pushtetin, i kanë humbur privilegjet e shumta dhe tash mundohen t’i bëjnë për vete  masat e gjera në mënyrë që ta marrin mbështetjen e tyre, të cilën e humbën katastrofalisht në zgjedhjet e fundit komunale. Atyre s’ka si u pengon gjuha shqipe, s’ka si u pengojnë shqiptarët me të cilët kanë jetuar me shekuj bashkë, jetojnë edhe sot dhe do të jetojnë edhe në të ardhmen, mirëpo këtë zhurmë e bëjnë me shpresë se do ta tërheqin vëmendjen elektoratit, i cili ua ktheu shpinën, sepse e pa sa është sahati, e pa se ata nuk mërziten për popull.  

E ç’do të ndodhë pastaj? 

Asgjë. Shqiptarët me kurrfarë çmimi nuk do të heqin dorë nga gjuha e tyre, sepse kjo është e drejtë e tyre e natyrshme dhe kurrë nuk do të pajtohen që gjuha e tyre dhe ata vetë të jenë të rendit të dytë në këtë vend. E si do të ishin pajtuar me këtë pozitë kur gjuha shqipe është gjuha me të cilën e kanë vënë kontaktin e parë me botën. Në këtë gjuhë kanë thirrur për herë të parë emrin e nënës. Janë rritur me ninullat e bukura të cilat ua kanë kënduar nënat, e kanë mësuar alfabetin e lirisë dhe të dashurisë përmes këngës shqipe. Pranë etërve të tyre në këtë gjuhë e kanë mësuar krenarinë dhe tolerancën ndaj fqinjëve të tyre. Për ne fjalët shqipe janë lule të vërteta të cilat e stolisin përroin malor, që është fjalia e gjuhës shqipe, i cili pastaj derdhet në detin e qetë dhe të kaltër të quhet Gjuha Shqipe dhe i cili është pakrasimisht i bukur.  Dhe, gjuha shqipe është e shenjtë dhe si e tillë s’ka si  i rrezikon gjuhët tjera, por vetëm e ruan frymën që bartet e përcillet me mijëra vjet, braz pas brezi. Nëse është ruajt me mileniume kjo gjuhë, doemos do ta përcjellim edhe ne kështu të bukur te brezat që vijnë. 

Po shatorret? 

Nuk e kanë për herë të parë. I ngrenë dhe vetë i largojnë.  

E Qeveria? 

Kësaj radhe qeveria e re ka dhënë fjalë se do ta bëjë një ligj pa hile për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Na mbetet të presim sa punë të mbarë do të bëjë qeveria dhe aq më shumë sa do të bëjë partitë e shqiptare të koalicionit. Shpresojmë se nuk do të sillen si në dhjetë vjetët e kaluar, sa ishin në pushtet. Besoj se e kanë parë se pasuri më të madhe se gjuhën shqipe ne nuk kemi.  Mos të mërziten nga shatorret. Nuk janë ata që mund të lejojnë e të ndalojnë. Janë ata cetë si përfaqësuesit tonë që mund të bëjnë ose që të mos bëjnë gjë.   

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button