Bashkëpunimi ekonomik, iniciues i proceseve integruese për Shqipërinë dhe Serbinë

Shqipëria dhe Serbia e shohin të ardhmen në familjen e vendeve të Bashkimit Evropiane dhe lidhjet ekonomike janë iniciuesi i të gjitha proceseve integruese, transmeton ATSH.

Dhoma e Tregtisë Shqipëri- Serbi zhvilloi sot në Tiranë mbledhjen e parë, ku morën pjesë përfaqësues nga 100 kompani shqiptare dhe serbe. Duke përshëndetur këtë aktivitet, ministri i Ekonomisë së Serbisë, Goran Knezeviç u ndal te e ardhmja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Këto dy vende, tha ai, e shohin të ardhmen e vetë në familjen e vendeve të Bashkimit Evropian. “Ky është shansi ynë, ky është qëllimi ynë”, tha ministri serb.

Sipas tij, “Evropa këtë rajon e sheh si një tërësi dhe prandaj në interes të përbashkët kemi të bashkëpunojmë që sfidat politike dhe ekonomike t’i zgjidhim me dialog dhe me bashkëpunim”.

“Është e nevojshme që t’i thellojmë marrëdhëniet në bazë të interesave dhe qëllimeve të përbashkëta për të ardhmen tonë në Bashkimin Evropian. Kemi shumë sfida me të cilat ballafaqohemi, por ne duhet të fokusohemi tek ndërtimi i të ardhmes më të mirë për qytetarët tanë”, tha Knezeviç.

Kjo iniciativë, tha ai, i kushtohet lidhjeve ekonomike, sepse ekonomia është iniciuesi i të gjitha proceseve integruese dhe zhvillimit të të gjitha vendeve të këtij rajoni.

“Jam i bindur se ekziston një vullnet politik për dialog për avancim të raporteve dhe marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Kam besim se bashkimi i sipërmarrësve sot do të kontribuojë që bashkëpunimi ynë ekonomik të jetë sa më i mirë dhe lidhjet tona sa më të mira”, tha Knezeviç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button