Abbas dhe Netanyahu përpiqen të rifillojnë bisedimet për paqe

Kryeministri i Palestinës, Salam Fayyad, u tërhoq të martën në minutat e fundit nga një takim me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu. Në vend të tij në Jerusalem ishte kryenegociatori palestinez, Saeb Erekat.

 Sipas Associated Press, arsyet që shpjegojnë këtë ndryshim në delegacion janë ende të panjohura. “Megjithatë, besohet se ajo ka lidhje me grevën e urisë të nisur nga qindra të burgosur palestinezë që vuajnë dënimet në Izrael, në kërkim të kushteve më të mira dhe të përfundimit të praktikës së burgosjes pa gjyq”.

Erekat i ka dorëzuar Netanyahut një letër me kërkesat e presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, për rifillimin e bisedimeve paqësore. Në kumtesën e publikuar pas takimit, të dy palët thanë se ishin të “përkushtuara për arritjen e paqes” dhe se “Izraeli do të përgjigjet ndaj kësaj letre brenda dy javësh”.

Bisedimet për njohjen e Palestinës ishin ndërpreë në fund të vitit 2010, pasi Izraeli e pat refuzuar kërkesën e palestinezëve për bllokimin e ndërtimit të vendbanimeve në territorin e okupuar palestinez. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button