GJUHA – SINONIM ATDHEU

Udha e alfabetit të shqipes ka qenë e gjatë dhe e vështirë. Ajo është  shtruar me gjakun dhe eshtrat e drobitur të martirëve të dritës së diturisë, të flijuar vetëdijshëm në dhëmbëzorët e pushteteve satrape që e kishin zët shqiptarin zot të vetvetes, shqiptarin e qytetëruar në auditoret shkollore, shqiptarin e ndërgjegjësuar që të punojë më shumë për vetveten se sa për tjetrin. Këto janë shkaqet përse kombi me kultivues të hershëm kulture e letërsie arriti ta konsolidojë alfabetin vetëm në fillim të sh. XX, pas gjithë shteteve ballkanike të gjendur për më shumë se 5 shekuj nën të njëjtin pushtues; përse aq vonë u realizua njëra prej ëndrrave të mëdha rilindëse: përcaktimi për një alfabet të vetëm që u dha fund synimeve shkombëtarizuese të atyre që rezervuan për ne prapambetjen anakronike.

Në këso rrethanash lindën natyrshëm shumë projekte dhe u gjurmuan udhë që kishin një synim të përbashkët: të vetëdijësohet populli, ta njohë fillimisht vetveten dhe ta kuptojë kush është, ç’gjuhe dhe gjaku i përket, cili është Atdheu i tij dhe si do të pozicionohet për të mbijetuar shekujt e ardhshëm në botën oqean të peshkaqenëve të mëdhenj, që zhbëjnë pamëshirshëm etnitë e sëmura nga ileti i përgjumjes kronike.

Natyrisht, ky vetëdijësim nuk mund të realizohej nga kombi i mbetur në terrin e prapambetjes, nga kombi analfabet, nga kombi i ndarë si mos më keq e me plot plagë në shtat.

Shi për këtë, Rilindësit hodhën idenë e emancipimit dhe u vunë pas gjetjes së një alfabeti të përbashkët, që do të rezultonte me bashkimin dhe ndritjen e shpirtit shqiptar. Ata iu kthyen udhës së ndërprerë të shkrimit të shqipes dhe sfiduan numrin e madh të alfabeteve në të cilët kishin nisur të shtypen libra dhe gazeta të shumëllojshme.

Fatmirësisht, gati të gjithë Rilindësit mendjendritur ishin të prerë në përzgjedhjen e  alfabetit latin, sepse me këto shkronja do të qenë shkruar librat shqip që para vitit 1332, për të ç’gjë dëshmon murgu francez Brokardi, ai që vërejti se: shqiptarët kishin një gjuhë të ndryshme prej latinevë, sado që librat e tyre i shkruanin me alfabetin latin… Ata u përcaktuan për alfabetin latin sepse me të u shkruajtën librat e autorëve shqiptarë të kohës së humanizmit dhe rilindjes evropiane, kur i gjithë kontinenti në atë alfabet e gjuhë i shkruante letërsitë nacionale; sepse me shkronjat latine u shkruajt dokumenti i parë i njohur i shqipes: Formula e pagëzimit e Pal Engjëllit, libri i parë shqip “Meshari” i Gjon Buzukut, veprat e Bogdanit, Budit e Bardhit…; vepra madhore e Naimit; perla e letërsisë së Rilindjes “Këgët ë Milosaos” e Jeronim de Radës, për të cilën folën fjalë të mëdha titanët e letërsisë evropiane: Hygoi, Lamartini, Aleksandar Dyma; poezitë e pakalueshme të Ndre Mjedës, të shkruara me mjeshtrinë e një filigranisti, të cilave nuk mund t’u shtosh a t’u heqish asnjë presje e shumë të tjerë… Me një fjalë, alfabeti latin heq vijë që prej shekujsh të harruar e këndej…, në dallim prej atij grek e turko-arab që u imponoheshin shqiptarëve me arsyetime të paargumentuara shkencërisht.

Zgjedhja e një ABC-je të vetme për shkrimin e Shqipes sfidoi anarkinë e alfabeteve që përdoreshin në vigjilje të Kongresit të Manastirit, të cilët e bënë gjuhën, jo vetëm mjet shpëtimi të kombit, po dhe element që nisi të rrezikojë seriozisht ekzistencën e tij. Qe ky momenti i fundit për ta kuptuar se dezintegrimi i gjuhës nënkuptonte dhe dezintegrimin e etnisë.

Parë nga distanca e sotme kohore, duhet thënë se Kongresi i alfabetit të Gjuhës shqipe përfaqëson njërën prej fitoreve të mëdha historike e kulturore që ka korrur kombi ynë. Pa të nuk do ta kishim as standardin e sotëm të gjuhës, që edhe përkundër vërejtjeve të cilat mund t’i bëhen, na përcolli gjer këtu ku jemi si një komb i vetëm, duke sfiduar fuqishëm, pikërisht përmes SHQIPES, ndarjet tragjike që na i bënë të tjerët.

Prandaj, dita e ABC-së duhet festuar gjithandej ku jetojnë shqiptaret, pa asnjë POR…, sepse janë shkronja të gjuhës sonë – sinonimit të Atdheut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button