Jahjaga dhe Thaçi: S’ka zgjedhje lokale serbe në Kosovë

Zgjedhjet lokale të Republikës së Serbisë nuk mund dhe nuk do të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse cenojnë integritetin territorial të vendit. Ky është qëndrimi i shprehur nga Presidentja e ë Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, të cilët në takime të ndara pritën Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier.

Temë kryesore e takimeve me Zannier-in ishte gjetja e modaliteteve adekuate për lehtësimin e procesit zgjedhor të qytetarëve të Kosovës të komunitetit serb për votimin e tyre në zgjedhjet paralmentare të Serbisë të parapara të mbahen në muajin maj. 

Presidentja Jahjaga theksoi se “zgjedhjet lokale të Republikës së Serbisë nuk mund dhe nuk do të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës sepse cenojnë integritetin territorial të vendit”.

Ajo tha se institucionet e Republikës së Kosovës e njohin standardin ndërkombëtar me të cilin shtetasit me shtetësi të dyfishtë e gëzojnë të drejtën e votimit në zgjedhjet e përgjithshme, dhe për këtë do të respektohen konventat ndërkombëtare, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Zyra e Presidentes së Kosovës.

Edhe kryeministri Thaçi theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës do ta respektojnë në tërësi të drejtën e garantuar kushtetuese të qytetarëve të Kosovës më dyshtetësi, për të votuar në zgjedhjet parlamentare.

“Mirëpo, duke pasur parasysh faktin se Serbia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe për rrjedhojë nuk ka ambasadën e saj në Kosovë, atëherë është e domosdoshme që kjo e drejtë të realizohet përmes një organizate ndërkombëtare, konkretisht OSBE-së”, theksoi kryeministri Thaçi, thuhet në kumtesën e lëshuar nga zyra e Kryeministrit.

Ndërsa sa i përket tendencave për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Republikën e Kosovës, kryeministri Thaçi ritheksoi edhe një herë se një gjë e tillë nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe gjithashtu edhe Rezolutën 1244.

Zannier theksoi se OSBE-ja është duke e marrë seriozisht në konsideratë kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të lehtësuar organizimin e votimit për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb me dyshtetësi në zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe se një vendim përfundimtar lidhur më këtë çështje pritet të merret deri kah fundi i kësaj jave./telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button