Burg për britanikun që bredhte me thikë për të vrarë muslimanë

Britaniku 24 vjeçar Mickey Sage, i cili kishte bredhur rrugëve të Londrës me një thikë në dorë në kërkim të muslimanëve për ti vrarë, është dënuar me dy vjet e tre muaj burg, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai u deklarua fajtor për kërcënimin me thikë në vend publik, ndërkohë që pranoi se incidenti kishte një prapavijë fetare.

Më 7 qershor të këtij viti, para sulmit terrorist në Finsbury Park ku mbet i vrarë një besimtar musliman, Sage kishte bredhur rrugëve me një thikë të gjatë në dorë, duke ndaluar kalimtarët e rëndomtë të cilët i kishte pyetur nëse janë muslimanë.

Policia me ndihmën e qytetarëve kishte arritur të mposhtë Sagen, pasi paraprakisht kishte marrë një denoncim për një person i cili kërcënon me thikë kalimtarët.

Ai u arrestua në jug të Londrës me akuzën për posedim të armës së ftohtë, ndërsa gjatë arrestimit i tha policit se “thika është e imja, dhe me të desha të vrasë muslimanë”.

Në kumtesën e policisë thuhet se gjatë tërë rrugës deri në qendrën për paraburgim, ai ka bërë komente islamofobe, dhe se kishte pranuar të ketë dalë në rrugë për të gjetur dhe therrur muslimanë.

“Do të martirizohem për Anglinë, desha ta therr imamin në qafë”, i kishte thënë policisë.

Pas referendumit për dalje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, raportet flasin për një rritje të krimeve të urrejtjes.

Të dhënat e policisë britanike flasin se kohët e fundit, më konkretisht në periudhën mars-korrik të këtij viti, oficerët regjistruan 110 krime të urrejtjes të kryera mbi xhamitë, nga vetëm 47 sa kishte në të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Në njërin nga sulmet më fatale që për shënjestër kishte muslimanët, 51 vjeçari Makram Ali, humbi jetën në Finsbury Park, si pasojë e një sulmi me automjet që për shënjestër kishte besimtarët të cilët dilnin nga xhamia gjatë muajit të Ramazanit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button