Neças: Çdo tension mund ta prish integrimin e Maqedonisë

Është në interes të Qeverisë maqedonase që t’i ndërpresë të gjitha tensionet, sepse çdo tension mund ta prish integrimin e vendit për në Evropë. Kjo është porosia që kryeministri çek, Petr Neças e përcolli pas takimit me kryeministrin Nikolla Gruevski, i mbajtur të martën në Shkup.

Pikërisht incidentet e fundit në vend ishte tema për të cilën Gruevski dhe Neças kanë shkëmbyer mendime. 
“Dua të them se Qeveria maqedonase ka interes që këto tensione të ndalen. Njëra nga partitë shqiptare është pjesëmarrëse edhe në qeveri. Ne i shkëmbyem mendimet tona në lidhje me këtë. Qeveria, sigurisht që është e interesuar për një situatë stabile në vend, pasi që çdo tension mund ta prish integrimin e Maqedonisë në Evropë. Maqedonia i bën të gjitha hapat e nevojshme”, tha Neças.

Kryeministri çek shprehi përkrahje të plotë nga ana e shtetit të tij në lidhje me integrimin e Maqedonisë në Unionin Evropian dhe NATO. Ai ofroi edhe eksperiencë dhe njohuri konkrete të vendit të tij në lidhje me negociatat për anëtarësim të Maqedonisë me Unionin Evropian, në momentin kur ato do të fillojnë.

“Ne jemi të bindur se është në interes, jo vetëm të Republikës së Çekisë, por edhe të gjithë Unionit Evropian që ajo të zgjerohet në sferën e Ballkanit perëndimor. Ne vetë kaluam nëpër negociata të detajuara për anëtarësim dhe dua të përmend se Republikës së Çekisë ju nevojitën rreth shtatë vite që nga momenti i marrjes së statusit kandidat deri te hyrja në BE. Ishte një rrugë e gjatë dhe me shumë detaje. Ne jemi të gatshëm t’i ndajmë eksperiencat tona konkrete në këtë sferë.”, u shpreh Neças.

Në bisedimet e hapura dhe konstruktive, kryeministri Grueski e njoftoi Neças edhe me reformat të cilat vendi i ka bërë në lidhje me plotësimin e kritereve për anëtarësim në BE dhe NATO, si dhe për aktivitetet e autoriteteve në vigjilje të samitit të aleancës në Çikago, në maj të këtij viti.

Kryeministri maqedonas ka paraqitur edhe detajet e akt-vendimit të Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë në lidhje me padinë e Greqisë. Në prani të kryeministrit çek, Gruevski porositi se Maqedonia pret edhe një fillim oficial të negociatave për anëtarësim në BE.

“Fillimi i një dialogu për anëtarësim në nivel të lartë mes Maqedonisë dhe Unionit Evropian paraqet një hap pozitiv në drejtim të duhur, mirëpo nuk është dhe nuk mund të jetë zëvendësim për negociatat për anëtarësim, mirëpo, nga ana tjetër kjo do të kontribuojë në përparimin dhe përfundimin e reformave të cilat me siguri do të mbaronin me fillimin e negociatave. Kështu që, në këtë mënyrë, kur do të fillojnë negociatat oficiale, ato do të jenë dukshëm më të shkurtra, pasi që në këtë periudhë, nëpërmjet të këtij dialogu do të kryejmë pjesën më të madhe të obligimeve të cilat do të duhej ti mbarojmë në momentin e fillimit të negociatat për anëtarësim”, tha Gruevski. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button