Sot nuk nisi leximi i dytë i ligjit të gjuhëve, a po bëhet “jo urgjent” siç e vlerësoi Han?!

Ligji i gjuhëve, që sipas eurokomesarit Johanes Han është “jo urgjent pasi që prioritetet duhet të definohen sipas interesave shtetërore” dhe i cili sot duheshte të vihet në leximin e dytë në Komisionin për Çështje Evropiane u shty, meqë sipas kryetarit të Komisionit në fjalë, Artan Grubi “java është e rëndësishme për çështje tjera reformuese”, njofton Portalb.mk.

“Mendoj se kjo kërkesë është e arsyeshme, por ashtu siç thash edhe në bisedimet bilaterale, mendoj se autoritetet duhet të bëjnë prioritete, t’i ndajnë, si prioritete ato fusha ku do të fitojnë vlerësime pozitive. Nëse miratohet ligji për gjuhët, në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venedikut ajo është në rregull, por është e rëndësishme që Qeveria dhe faktorët tjerë në vend të fokusohen në ligjet dhe miratimin e kushteve relevante për marrjen e rekomandimit pozitiv. Ligji për gjuhët nuk është marrëveshje në këtë kontekst. Në Bruksel po punojmë për atë. Prioritetet duhet të definohen sipas interesave nacionale”, vlerësoi Johanes Han pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Ndërkaq, për ligjin e gjuhëve që sot duheshte të jetë në Komisionin për Çështje Evropiane, Artan Grubi nuk bëri të ditur se kur do të përballet me amandamentet shtesë të paralajmëruara.

“Vlerësova se java është shumë më e rëndësishme për çështje tjera reformuese dhe i dhashë rëndësi asaj, që të mos shkaktoj defokusim të opinionit nga ajo që për momentin është e rëndësishme dhe urgjente”, tha Grubi.

Ndërkaq, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev tha se mbledhja e Komisionit është shtyrë për shkak të Ditës së Alfabetit.

“Për sot, sipas asaj që u parapa në aktivitete Kuvendit, janë caktuar seanca të dy komisioneve, e Komisionit për Çështje Evropiane dhe e Kulturës, por që të dyja, sikurse u informuam, u shtynë për shkak të festës së komunitetit shqiptar në Maqedoni”, tha Tuntev.

Përndryshe, ligji i gjuhëve tashmë ka marrë dritë jeshile në leximin e parë ndërkohë që leximi i dytë i tij është në Komision për Çështje Evropiane që u paralajmërua se do të nis sot, në Ditën e Alfabetit. Siç është paralajmëruar, leximin e dytë të ligjit të gjuhëve e pret parashtrimi i amandamenteve shtesë ku VMRO-DPMNE ka 83, LSDM 4, Besa 2, BDI- asnjë.

Ndryshe, debati i ligjit të gjuhëve në lexim të parë zgjati 8 ditë, dhe që në të tetë ditët deputetët e VMRO-DPMNE-së të njëjtin e vlerësuan si “antikushtetues” dhe “ligj që nuk i plotëson nevojat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”. “Kundër” ligjit të gjuhëve në lexim të parë ishte opozitarja VMRO-DPMNE.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button