OJQ-të me apel të mos akuzohen shqiptarët në incidentet e fundit

OJQ-të “ZGJOHU” dhe “CIVLI” mes tjerash apeluan qytetarët dhe organet e rendit që të mbajnë kontrollin dhe të ruajnë gjakftohtësinë për të mos eskaluar gjërat dhe të marin tatëpjetën.

Lëvizja qytetare  ZGJOHU! në kumtesën e saj apeloi të gjithë qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të përmbahen nga veprime të pamatura të cilat mund të kenë pasoja të paparashikueshme për stabilitetin dhe situatën e sigurisë në vend.

“Shprehim keqardhjen tonë me rastin e vrasjes së pesë qytetarëve të pafajshëm, si dhe shprehim ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave të këtij akti barbar. Njëkohësisht ftojmë organet kompetente të sistemit që të nxjerrin para drejtësisë autorët e kësaj vepre çnjerëzore sa më parë. Njëkohësisht, ZGJOHU! dënon ashpër tendencat për fajësimin kolektiv të shqiptarëve për çdo dukuri negative që ndodh në vend dhe kërkon nga organet e sigurisë që të mos lejojnë shfryrje raciste-nacionaliste ndaj shqiptarëve nga ana e grupeve të udhëhequra nga ideologji fashizoide. Këto grupe tanimë të njohura mirë për opinionin më të gjerë, me veprimet e veta janë shndërruar në argat të shërbimeve të huaja ose të qarqeve të brendshme reaksionare të cilat nuk ia duan të mirën Republikës së Maqedonisë dhe nuk çajnë kokën për ardhmërinë e vendit”, thuhet në reagimin me shkrim të Zgjohut!

Në ndërkohë edhe Organizata joqeveritare “Civil” apeloi qytetarët që të ppërmbahen nga fjalori i urrejtjes, ta respektojnë rendin publik dhe paqen në shtet dhe të jenë aktiv në parandalimin e dhunës.

“Apelojmë deri te Qeveria që të ndërmerren hapa urgjente për vënien fund të fjalorit urrejtës dhe dhunës. Urgjentisht të fillojë me implementimin e Strategjisë për arsim të integruar. Ta përforcojë sektorin për parandalim policor, t’i përforcojë aktivitetet, masat dhe projektet në sferën e kontrollit të armës”, thuhet në kumtesën e “Civil”. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button