Basha merr mbështetjen e kryeministrit çek për tramin

TIRANË – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Çekisë, Peter Necas, ku e informoi në lidhje me projektet për ta bërë Tiranën një qytet të zhvilluar dhe miqësor për biznesin. 

Basha u ndal në mënyrë të veçantë në projektin e dy linjave të tramit në kryeqytet, njëra që do të shtrihet nga zona e Kombinatit deri në Kinostudio dhe linja tjetër nga terminali i ri i pasagjerëve, për të vijuar përgjatë bulevardit të ri e deri tek sheshi “Nënë Tereza”.

Kryebashkiaku Basha kërkoi nga Kryeministri çek konsiderimin e mundësive më atraktive për financimin e linjave të tramit. 

Kryeministri çek vlerësoi vizionin e zotit Basha për zhvillimin e qytetit dhe projektet e propozuara prej tij të cilat janë një mundësi e mirë, sipas tij, për të thithur investitorë të huaj në përgjithësi dhe ata çekë në veçanti. 

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek kërkesa e zotit Basha për financimin e linjave të tramit, kryeministri çek e garantoi se do të konsiderojë të gjitha mundësitë e financimit të këtij projekti që janë në interes të Bashkisë së Tiranës. 

Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, duke folur për projektet strategjike, theksoi se 7 studio, ndër më të mira në botë në fushën e arkitekturës, konkurruan për projektin e zgjatimit të bulevardit dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës dhe tani pritet të shpallet së shpejti projekti fitues. 

Një tjetër projekt i rëndësishëm është ai i terminalit multimodal të pasagjerëve. “Aktualisht 11 kompani kanë shfaqur interes për të bërë studimin e fizibilitetit të terminalit, i cili financohet nga BERZH”, tha Basha. 

Basha u takua edhe me përfaqësues të biznesit çek, të cilët shprehën interes për t’u bërë pjesë e realizimit të projekteve të zhvillimit të Tiranës. Përveç projekteve strategjike biznesi çek ka shprehur interes edhe për menaxhimin e mbetjeve./balkanweb 

Lajme të ngjashme

Back to top button