Kongresi i Manastrit nga pikëpamja filologjike dhe pak nga ajo historike

Ta kujtosh dhe ta nderosh me një aktivitet si ky i sotmi përvjetorin e Kongresit të Manastirit e në veçanti 109-vjetorin e tij, nuk është thjeshtë një nderim, por detyrë e obligim i brezit tonë për ata njerëz që s’kursyen asgjë, duke përballur ndjekjet, persekutimet dhe reprezaljet për të zgjidhur një nga çështjet më madhore të kulturës sonë, alfabetin e përbashkët të shqipes. Harrohej nga armiqtë tanë se vendi ynë u kishte dhënë popujve të tjerë njerëz të shquar: politikanë e diplomatë, dijetarë e studiues dhe vetë kishte pritur një kongres të abecesë që të vendosë grafinë e shkronjave shqipe, veçori kjo në fushën e kulturës sonë të vjetër e të re, një mbijetesë heroike e gjuhës amtare. Dhe rrallë mund të gjesh edhe në gjuhët e popujve të tjerë shembuj të tillë, ku u pagua aq shtrenjtë e drejta për të pasur shkrimin e vet sa populli ynë. Vendosmëria e atdhetarëve shqiptarë për të gjetur një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e problemit të alfabetit, që po ushtronin qarqet e ndryshme atdhetare brenda dhe jashtë vendit, por në radhë të parë si fryt i bindjes së tyre të palëkundshme se zgjidhja e këtij problemi të rëndësishme nuk priste më. Përdorimi i disa alfabeteve të ndryshme për shkrimin e gjuhës shqipe po rrezikonte ta thellonte më tej përçarjen midis shqiptarëve në një kohë kur ata kishin nevojë më shumë se kurrë për bashkim në përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund sundimit shumëshekullor osman. Mjafton të kujtojmë se në fillim të shekullit XX vetëm në Shkodër për shkrimin e gjuhës shqipe, krahas alfabetit tradicional të shkrimtarëve të vjetër të Veriut, përdoreshin edhe alfabetet e shoqërive “Bashkimi” dhe “Agimi” e aty-këtu edhe alfabeti arab. Të kihet parasysh edhe përhapja e gjerë e alfabetit të shoqërisë së Stambollit të vitit 1879 si edhe përdorimi i disa alfabeteve të tjera, me bazë kryesisht latine, për botime shqipe në vende të ndryshme të botës.

Nga statistikat që ka nxjerrë prof. dr. Tomor Osmani, na del të kuptojmë se janë mbi 150 alfabete, variante dhe nënvariante (ky numër mund të rritet në të ardhmen me zbulime veprash e dorëshkrimesh) të cilat janë hartuar për një periudhë 353-vjeçare që nga “Meshari” i Gjon Buzukut (1555) deri në Kongresin e Manastirit. Por shumë shpejt, shumica e tyre jo vetën nuk u përdorën, por u harruan ashtu siç hynë, duke mbetur vetëm në arkivat e studiuesve tanë.

Në vendin tonë alfabeti latin ishte më i përhapuri dhe kishte më shumë përkrahës, duke iu larguar në këtë mënyrë orientit dhe duke u drejtuar oksidentit të përparuar. Alfabeti grek dhe turko-arab, ndonëse patën një farë përhapjeje, nuk mund të pëlqeheshin nga shqiptarët si për shkaqe politike, shkencore e fetare.

Klubi “Bashkimi” i Manastirit u bë nismëtar për thirrjen e një kongresi kombëtar që ka hyrë në histori si Kongresi i Manastirit. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive , klubeve dhe të organeve kombëtare të pjesës më të madhe të trevave shqiptare, si edhe të kolonive shqiptare në vende të ndryshme, shkrimtarë e gazetarë, lëvrues të gjuhës e të shqipes, veprimtarë të njohur të lëvizjes kulturore e politike kombëtare. Kongresi zgjodhi nga gjiri i tij një komision prej 11 anëtarësh, që përbëhej nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim. Në komision bënin pjesë Gjergj Fishta (kryetar), Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Mithat Frashëri, Shahin Kolonja, Dh. Buda, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, B. Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor Cilka. Kongresi i zhvilloi punimet nga 14 e deri më 22 nëntor 1908, në hotelin “Liria” të Themistokli Gërmenjit, në Manastir. Pas mjaft diskutimesh, u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin.

Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. Me të drejtë thuhet se pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ky është kuvendi që mblodhi shqiptarët nga të gjitha krahinat e vendit tonë, nga ngulmimet shqiptare e të tjerë, duke dhënë sinjalin e parë për pavarësinë kombëtare të popullit shqiptar. Gjithashtu, ai për herë të parë në historinë tonë çeli rrugën e kongreseve për të diskutuar çështje madhore të kulturës sonë.

Shkronjat e shqipes janë marrë nga alfabeti latin, por sistemi i shkrimit dhe sistemi grafik i shqipes ka disa veçori, që i japin një karakter deri diku sui generis. E para ndër këto veçori është përcaktimi se alfabeti i gjuhës shqipe ka 36 shkronja, ndërsa alfabeti latin, po të përfshijmë në të edhe w (v-në dyfishe), ka 26 shkronja. Siç dihet, kur paraqitet alfabeti i gjuhëve të tilla si anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, renditen 26 shkronjat e alfabetit latin. Kombinimet e tyre për të shënuar fonema të veçanta nuk numërohen si shkronja më vete. Pse në gjuhën shqipe zbatojmë një praktikë tjetër dhe njohim si shkronja të veçanta gj e nj, dhe th, ll e rr, sh xh e zh? Arsyeja kryesore për këtë mendoj se mund të përmblidhet në pohimin se alfabeti ynë i sotshëm përfaqëson një tejshkrim (transkriptim) tërësisht me shkronja latine të alfabetit të Shoqërisë së Stambollit (1879) prej 36 shenjash të njëvlershme. Pra, Kongresi i Manastirit latinizoi ato shkronja jolatine të alfabetit të Stambollit, duke ruajtur po atë renditje të tyre. Vendimi i Kongresit, siç dihet, linte në fuqi alfabetin e Stambollit dhe alfabetin e ri. Nga vetë mënyra e paraqitjes në vendim shihet se alfabeti i ri është simetrik nga ana sasiore dhe e vlerave të grafemave me alfabetin e Stambollit, çdo shkronjë e këtij të fundit ka shkronjën përgjegjëse me alfabetin e ri. Një simetri e tillë e plotë nuk vërehet në alfabetet e mëparshme.

Arsyeja e dytë pse në alfabetin tonë numërohen 36 shkronja ka të bëjë me sistemin grafik të shqipes d.m.th. me mënyrën se si i plotësuan kongresistët e Manastirit mungesat e alfabetit latin për të shënuar 36 fonemat e shqipes. Çdo dyshkronjësh në gjuhën shqipe shënon vetëm një fonemë dhe secila prej këtyre fonemave shënohet vetëm nga dyshkronjëshi përkatës. Një krahasim me gjuhë të tjera e nxjerr në pah këtë veçori të sistemit tonë grafik: në gjermanishte, në italishte, në anglishte fonema /sh/ mund të shënohet me disa shkronja e bashkime shkronjash, kurse në gjuhën shqipe kjo fonemë shënohet kurdoherë me bashkimin s+h dhe ky bashkim shënon kurdoherë fonemën /sh/. Kështu edhe për të gjitha dyshkronjëshat e tjerë e po ashtu për shkronjat me shenja diakritike (ç, ë). Kjo rrethanë, që çdo fonemë është e lidhur me një grafemë të caktuar dhe çdo grafemë shënon, si rregull, një fonemë të vetme, është një tipar dallues i sistemit grafik të shqipes me krahasim me një varg gjuhësh të tjera që përdorin gjithashtu alfabetin latin. Për të gjitha këto që në abetare mësojmë se alfabeti ynë ka 36 shkronja dhe prandaj në fjalorët e gjuhës shqipe fjalët që nisin me gj, dh, ll, rr, sh, th, xh, zh nuk renditen te shkronja e parë e këtyre dyshkronjëshave, por në një shkronjë më vete.

Me të vërtetë historia e alfabetit të gjuhës shqipe qe një rrugë e gjatë, e mundimshme dhe e dhimbshme, por atdhetarët shqiptarë arritën ta zgjidhin atë. Gjithnjë trajektorja ka lëvizur në të mirë të alfabetit latin për shqipen, si më i përshtatshëm, më i gjetur dhe më funksional. Kështu kultura shqiptare me këtë zgjidhje që bëri, miratoi përfundimisht emancipimin drejt Evropës së qytetëruar, duke u bërë faktor i rëndësishëm i individualitetit kulturor të popullit tonë.

Për në fund, me të drejtë I. Kadare, shkrimtari ynë i madh, në promovimin e dy veprave “E bija e Agamemnonit” dhe “Pasardhësit”, 14 vjet më parë (2003), me rastin e festimeve të 95-vjetorit të Kongresit të Manastirit në Shkup, tha: “Alfabeti ynë i sotëm është i mrekullueshëm, i përshtatur shumë mirë gjuhës shqipe. Ai i qëndroi kohës, alfabet i përkryer, i unifikuar, i bashkuar. Alfabeti i sotëm i mbështetur në atë latin ishte rrjedhojë e kulturës latine”.

E paçim për jetë e mot abecenë tonë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button