Lamtumirë Aleksandër Lalo

Paraditen e së hënës miqtë dhe familjaret i dhanë lamtumiren e fundit kompozitorit Aleksandër Lalo, që u shua në moshën 68 vjeçare nga një atak kardiak.

Lajmi i ndarjes nga jeta të Aleksandër Lalos ishte aq i papritur, sa ishte aktive jeta e kompozitorit, i pranishëm në skenë dhe ekrane, tranmseton Top Channel.

“Me Sandrin duket ndoshta e pabesueshme, por kam rreth 50 vjet që kam shoqëri. Unë humba një mik sot, shumë të mirë, shumë të vyer. Spektatori humbi një gjeni të artit shqiptar që i dha vetëm të mira këtij populli”, u shpreh Luan Zhegu.

“Në muzikën e Aleksandrit gjejmë një mozaik të Shqipërisë. Muzika e tij ishte shumë e dashur, shumë e pranuar, jo thjesht për faktin se njihet si autoritet i këngëve, i 40 muzikave të filmave dhe dhjetëra kompozimeve të tjera, por sepse ai reflektoi në muzikën e tij një copë Shqipërie”, tha Vaso Tole.

Muzika e fundit kompozuar nga Lalo është ajo për filmin me metrazh të gjatë “Një film i premtuar” me skenar e regji nga miku i tij Petrit Ruka, me të cilin ndau çastet e fundit të jetës, duke biseduar për filmin dhe shqetësimet për muzikën shqiptare që trazonin shpirtin e kompozitorit.

“Lalo e vuante çdo këngë të deformuar në ekranet shqiptare. E vuante si të ishte e tija. E vuante fatin e muzikës shqiptare, braktisjen nga institucionet. Është një tronditje e madhe sidoqoftë. Është një moment për të trokitur në ndërgjegjen e gjithsecilit se duhet të bëjnë më shumë për këta njerëz”, tha Petrit Ruka.

Krijues i muzikës se filmave “Një vonesë e vogël”, “Dimri i fundit” një “Gjeneral kapet rob” e shumë të tjerave, Lalo do të mbetet përjetësisht me muzikën e tij, në memorien e spektatorit shqiptar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button