Studentët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe organizuan orë letrare

Studentët dhe profesorët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të Fakultetit të  Filologjisë të Universitetit të Tetovës organizuan një orë letrare kushtuar krijimtarisë poetike të katër profesorëve të kësaj katedre: prof. dr. Ejup Ajdinit, doc. dr. Salajdin Saliut, doc. dr. Zejnepe Rexhepit dhe mr. sc. Vjollcë Berishës, njofton Portalb.mk.

Dekani i Fakultetit Filologjik i UT-së, prof. dr. Fatmir Sulejmani organizimin e kësaj ore letrare e konsideroi si një ogur të mirë, që jep kurajo se aktivitetet e tilla do të shpeshtohen, sepse kjo katedër ka potencial për të avancuar imazhin e Fakultetit të Filologjisë dhe të Universitetit, më mirë se kushdo tjetër.

“Mu për këtë, auditoret tona duhet të vlojnë nga aktivitetet kulturore, orët poetike, debatet për çështje shoqërore, arsimore, letrare, gjuhësore…, ku secili student dhe mësimdhënës do të mund ta gjejë veten dhe ta jep kontributin e duhur. Ne kemi studentë të edukuar dhe të etshëm për njohuri dhe shkathtësi konkrete, që do të jenë nesër në krye të institucioneve arsimore e kulturore; që do të ushtrojnë me sukses detyrën e mësimdhënësve, përkthyesve, lektorëve, gazetarëve, moderatorëve dhe që do ta shpiejnë përpara krijimtarinë letrare e shkencore. E them këtë, sepse në këtë katedër kanë diplomuar arsimtarë e arsimtare, me të cilët krenohen shkollat që kanë pasaur fatin t’i kenë në gjirin e tyre”, tha prof. dr. Fatmir Sulejmani.

Ai, mes tjerash, në fjalën e tij shtoi se produkt i kësaj katedre janë dhe shumë krijuese – poete e prozatore të shkëlqyeshme, që sjellin një frymë ndryshe në letërsinë tone. “Mjafton të lexohen krijimet e Emira Aliut, Nurie Emrullait, Valdete Dulahit, Blerona Braos, Fatjona Abdullait, Kaltrinë Sadikit, e të ndonjë tjetre, për të kuptuar se në këtë instutucion rriten vlera dhe këto vlera duhet prezantuar edhe të tjerëve… Nese jo për tjetër, atëherë sa për t’u dhënë shqiptarëve kurajo për të nesërmen ndryshe, sepse na mbytën kukuvajkat e tipit: ne nuk dimë, ne nuk mundemi, ne nuk bëhemi…, që si filozofi shkon në konton e dikujt tjetër… Prandaj, jam i lumtur që organizojmë një orë letrare kushtuar krijimtarisë poetike të katër profesorëve tanë – kolegëve të respektuar: Ejup Ajdinit, Salajdin Saliut, Zejnepe Rexhepit dhe Vjollcë Berishës, veprat e të cilëve sot njihen mirëfilli brenda dhe jashtë arealit kulturor shqiptar. E bukura e kësaj ngjarjeje kulturore është se e kanë organizuar studentët dhe koleget tona të reja”, u shpreh mes tjerash prof. dr. Fatmir Sulejmani.

Vështrime për krijuesit letrarë, Prof. Dr. Ejup Ajdinin, Doc. Dr. Salajdin Saliun, Doc. Dr. Zejnepe Rexhepin dhe Mr. Sc. Vjollcë Berishën, lexuan studentet e vitit të tretë të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe nga Fakulteti Filologjik i UT-së, Zulkade Nuhi, Melek Sulejmani, Luljeta Mamuti dhe Nadire Habibi.

Profesorët të cilëve ju kushtua kjo orë letrare i falenderuan studentët për këtë organizim letrar, duke i inkurajuar ata që orën e ardhshme poetike t’ia kushtojnë krijimtarisë letrare, studentëve të talentuar të kësaj katedre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button