Kryeministri Zaev për vizitë zyrtare në Serbi

Kryeministri Zoran Zaev sonte në Beograd e fillon vizitën e parë zyrtare në Republikën e Serbisë.

Vizita është me ftesë të kryeministres serbe Ana Bërnabiq, e cila pritet të organizojë darkë solemne për delegacionin e Maqedonisë.

Zaev, siç kumton pres shërbimi qeveritar sot pasdite niset për vizitë zyrtare i shoqëruar nga  delegacioni qeveritar në përbërje të të cilit janë zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike Damjan Mançevski  dhe sekretari shtetëror  në Ministrinë e Punëve të Jashtme Viktor Dimovski.

Pjesa e punës së vizitës fillon nesër me takim te-a-tet me kryeministren Ana Bërnabiq.

Pas takimit me Bërnabiq, të dy delegacionet qeveritare, të kryesuara nga kryeministrat, pastaj do të mbajnë takim të përbashkët plenar në të cilën do të bisedohet për tema me interes për qytetarët e të dy vendeve, si dhe për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve. Nga ana  serbe në takim është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e ministrit të Punëve të Brendshme Nebojsha Stefanoviq dhe ministrit pa portofol i angazhuar për Inovacione dhe Teknologji Nenad Popoviq.

Pas takimit plenar të delegacioneve të dy qeverive, është paraparë konferencë e përbashkët për shtyp e të dy kryeministrave.

Delegacioni qeveritar, i kryesuar nga Zaev, do të pritet edhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri Zaev dhe delegacioni qeveritar do të kenë aktivitete pune në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Beograd.

Siç informojnë mediat serbe, Zaev do të takohet edhe me Dragan Shutanovac, lider i Partisë Demokratike, e cila është parti simotër e LSDM-së në Parlamentin Evropian dhe me të cilën që më parë ka zhvilluar bashkëpunim.

Vizita e kryeministrit Zoran Zaev në Beograd vjen pas periudhës turbulente në marrëdhëniet midis dy shteteve, e cila filloi në fillim të vitit me deklaratën e shefit të diplomacisë Ivica Daçiq se Serbia ka bërë gabim që e ka njohur Maqedoninë nën emrin kushtetues, e jo si IRJM për shkak të votës të Maqedonisë për pranimin e Kosovës në UNESKO.

Retorika e tillë nga pushteti serb vazhdoi dhe u përforcua paralelisht me ndryshimet politike të pushtetit në Maqedoni, të përcjella me kërkesat për reciprocitet në politikën dhe “zemërimin” e Serbisë, fushata presidenciale e Aleksandar Vuçiqit me slloganin “Nuk duam skenar maqedonas”… Marrëdhëniet kulmuan me “aferën me zbuluesin Zhivaleviq” dhe tërheqjen e personelit diplomatik nga Ambasada serbe në Shkup.

Pas bisedës telefonike midis Zaevit dhe Vuçiqit, takimet e tyre edhe me Bërnabiq në tubimet ndërkombëtare, takimin midis shefave të diplomacisë Nikolla Popovski dhe Nikolla Daçiq në Nish, marrëdhëniet ngadalë filluan të ndërtohen duke u përmirësuar, pas çka vijoi ftesa e kryeministres Bërnabiq deri te Zaev për ta vizituar Beogradin, vizitë nga e cila edhe Beogradi edhe Shkupi kanë pritje pozitive.

Nga burimet diplomatike mësojmë se vizita do të jetë në drejtim të intensifikimit dhe avancimit të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve. Si tema të mundshme përmenden temat nga sfera e sigurisë dhe krizës së emigrantëve, shoqërisë informatike, start ap kompanive dhe sipërmarrësisë.

Tema kryesore e bisedimeve do të jetë marrëveshja dhe përgatitjet për mbajtjen e seancës së përbashkët të dy qeverive, e cila do të duhet të mbahet në Beograd.

Nga vizita e Zaevit në Beograd priten porosi pozitive për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të mira të ndërsjella dhe të rrugës së përbashkët të dy shteteve për anëtarësim në BE. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button