Dikoviq: Policia e Kosovës rrezikon sigurinë

Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë Lubisha Dikoviq ka deklaruar se prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës “në linjën administrative paraqet rrezik për sigurinë”.
“Konsideroj se vetëm KFOR-i mund të garantojë sigurinë në Kosovë, dhe jo të ashtuquajturat organe të Kosovës”, ka thënë Dikoviq për “Politikën”, duke komentuar arrestimin e mëhershëm të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e xhandarmërisë serbe në rajonin e Merdares.
Dikoviq ka thënë se po duket “qartas se Policia e Kosovës, duke rënë ndesh me marrëveshjet dëshiron që hap pas hapi të imponohet si faktor në atë rajon”.

Ai ka vënë në pah se në lidhje me praninë e Policisë së Kosovës, ushtarët serbë lajmërojnë KFOR-in, duke kujtuar se sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës, Ushtria Serbe bashkëpunon me trupat ndërkombëtare të sigurisë, në veçanti me KFOR-in.

Duke u përgjigjur në pyetjet se përse nuk ka reaguar më herët ndaj akuzës së drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare Natasha Kandiq se “nuk ka të kaluar të pastër të luftës”, Dikoviq ka shpjeguar se padinë e ka bërë vetë si qytetar, ndërsa sipas tij ka marrë kohë që të përgatitet padia.

Dikoviq ka thënë se nuk dëshiron që t’i japë jehonë tjetër siç ka thënë, “të pavërtetave të Fondit”, duke shtuar se gjykata do të thotë fjalën e saj.

Dikoviq gjatë luftës së vitit 1999 ka qenë komandant i njësisë së motorizuar 37 të Rashkës, e cila ka vepruar në Kosovë, përkatësisht në Drenicë, bëjnë të ditur mediat serbe.

Kandiq, e ka akuzuar Dikoviqin për krime të luftës në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998-99.

Organizata e saj ka thënë se “shumë krime të rënda dhe masive” ishin kryer në pjesën qendrore të Kosovës, ku Dikoviq ishte përgjegjës si komandant brigade në vitin 1999.

Fondi për të Drejtën Humanitare, po ashtu, ka thënë se në krime përfshihen edhe ekzekutimet e civilëve, vjedhjet dhe dhunimet, dhe se gjenerali Lubisha Dikoviq, kishte pasur obligim që t’i parandalojë./info-kosova

 

Lajme të ngjashme

Back to top button