Afganistan, sulm i koordinuar ndaj ambasadave

Një zëdhënës i talebanëve informoi se luftërarët janë duke sulmuar ambasadat në enklavën diplomatike, shtabin e përgjithshëm të NATO-s dhe godinën e parlamentit në perëndim të Kabulit.

Shpërthime të forta dhe të shumta janë dëgjuar që prej orëve të para në kryeqytet. Gjithashtu, sulme janë duke u ndërmarrë në krahinat e Logar e Paktikës, ndërsa një atentat vetvrasës ka ndodhur në Jalalabad.

NATO pranoi se ka patur raportime për shtatë sulme në Kabul.

Është konfirmuar gjithashtu lëshimi i një granate brenda një banese të përdorur nga diplomatë anglezë, ndërsa dy predha antitanku kanë goditur një kullë roje në ambasadën britanike, por pa shkaktuar dëme.

Sipas Agence France-Presse, godina e sapopërfunduar e “Kabul Star Hotel” është përfshirë nga flakë, ndërsa në ambasadën amerikane, janë dhënë sirenat e alarmit e stafit është zhvendosur në pozicione të sigurta.

Në muajt e fundit, talebanët kanë treguar se janë në forcim të vazhdueshëm, ndërsa ekzistojnë dyshime serioze mbi mundësinë e forcave vendase për të mbajtur në këmbë qeverinë diplomatike, pas tërheqjes së NATO-s në 2014-n./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button