Dënohen me 21 vjet burgim aktivistët e Vetëvendosjes

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, si dhe tre aktivistët e tjerë të kësaj partie, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, të cilët akuzoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, shkruan REL.

Gjykata ka vendosur që deputeti Krasniqi të dënohet me tetë vjet burgim, Atdhe Arifi me gjashtë vjet, Egzon Haliti me pesë vjet e gjashtë muaj, ndërsa Adea Batusha është dënuar me dy vjet burgim.

(Video: Pamje një ditë pas sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit)

Sulmi ndaj ndërtesës së Kuvendit ndodhi në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar, pak kohë pasi Qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Sipas hetimeve të Policisë së Kosovës, sulmi ishte bërë me mortajë dore në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues, duke e djegur atë dhe më pas ikën në këmbë në drejtim të panjohur.

Lidhur me këtë rast, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në nëntor të vitit të kaluar.

Prokuroria pati dalë me prezantimin e ekspertizës ligjore, sipas të cilës, Dehari kishte bërë vetëvrasje.

Por, një konstatim të tillë e patën kundërshtuar familja e tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe avokati i rastit, Tomë Gashi.

Në gusht të këtij viti, Gjykata Themelore kishte liruar nga arresti shtëpiak aktivistët e akuzuar lidhur me këtë rast.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës patën miratuan një deklaratë politike me të cilën dënuan ashpër sulmin mbi institucionin e ligjvënësve.

“Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve dhe vlerave politike dhe demokratike që afirmojnë subjektet tona politike”, thuhej në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button