Ndërroi jetë këngëtarja e mirënjohur e trevave shqiptare, Hanife Sejfulla Reçani (VIDEO)
Sot ndërroi jetë këngëtarja me origjinë nga Shkinaku, Hanife Sejfulla Reçani, njofton Portalb.mk.
Hanife Sejfulla Reçani ishte e bija e Sahit Keçës nga fshati Shkinak Grykë-Çajë, Lumë. Dy vëllezërit Malë Myrta dhe Sahit Myrta ( Keça ) jetonin në Shkinak dhe bënin një jetë të vështirë, si të gjithë banorët e tjerë. Për arsye të kushteve të vështira ekonomike ata u shpërngulën nga Shkinaku rreth vitit 1934 dhe morën rrugën në lindje për të kaluar bjeshkët e pasosura që ndanin Çajën me fushën e Pollogut dhe qendrën e saj Gostivarin. Duke kaluar këto bjeshkë ato arritën në Gostivar, ku pas shumë vështirësishë arrijnë të rregullohen dhe të fillojnë jetën aty.
Në Gostivar ato gjetën mikpritjen dhe përkrahjen e banorëve vendas ashtu si dhe lumjanë të tjerë që vendoseshin në këto anë. Pikërisht në Gostivar në këtë familje tipike nga Çaja lindi dhe u rrit këngëtarja e njohur Hanife Sejfullah Reçani.
Talentin dhe zërin e saj prej këngëtarje do ta zbulonin, pa mbushur akoma 12-vjeç, mësuesit e saj të shkollës ku ajo mësonte, të cilët do ta përkranin atë për t´u bërë një këngëtare e vërtetë. Ajo arriti shumë shpejt, që me zërin karakteristik dhe talentin e rrallë, të bëhej një këngëtare mjaft e njohur, jo vetëm në Gostivar, por në mbarë trojet shqiptare.
Disa nga këngët e saj të njohura si: ˮBien tri dairetˮ, ˮPrej Tetove në Gostivarˮ, ˮMoj fusha e Korabitˮ, ˮI hipa vaporitˮ, ˮKënga e çobanitˮ, ˮKënga e bilbilitˮ etj. Kështu ajo arriti që në repertorin e saj të ketë një pasuri të përbërë nga 150 këngë, që ajo i këndoi për 50 vjet. Ajo me këngën e saj në Prishtinë, Shkup eTiranë dhe aktivitetet e shumta dhe pjesëmarrëse edhe në Europë u bë mjaft e njohur.