Qerimaj: Titulli për shqiptarët

Ajo që Erkand Qerimaj ka bërë të enjten në Kampionatin Europian të Peshëngritjes në Turqi është e jashtëzakonshme. 

Sportisti i njohur shqiptar u shpall kampion i dyfishtë i kontinentit në peshën 77 kg, si në dygarësh ashtu edhe në stilin e shtytjes, duke koleksionuar dy medalje të arta, ndërsa në stilin e shkëputjes u rendit i dyti, duke u laureuar me medaljen e argjendit. 

Pas këtij suksesi të mrekullueshëm, pasi Qerimaj është i pari Kampion Europe në historinë e këtij sporti për Shqipërinë, vetë shkodrani ka rrëfyer emocionet e mëdha. 

“Është një rezultat shumë i madh, një emocion i jashtëzakonshëm, u shpreh dje kampioni i ri i Europës. Fitoren ia dedikoj familjes sime dhe të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit. Momenti i ngritjes së flamurit kuqezi, momenti kur po këndohej himni shqiptar, më dhuruan një emocion vërtet të madh”. 

Më pas Qerimaj ka theksuar se ishte përgatitur shumë për të arritur këtë rezultat dhe ia doli me sukses.

“Ishte një objektiv i yni, pasi e dija që i kisha mundësitë. Është një rezultat shumë i madh, pasi jemi në prag të Lojërave Olimpike 2012”. Ndërkohë, që të mërkurën Shqipërisë iu bë një padrejtësi, pasi sot, përveç Erkand Qerimajt, duhej të kishte edhe një tjetër kampione Europe. Bëhet fjalë për Romela Begajn, të cilës, pas një vendimi të dyshimtë të gjyqtarëve iu hoq e drejta për të qenë ajo në majën e podiumit dhe fituese e titullit.

“Ishte një ndjesi shumë e keqe për mua, pasi ma hoqën titullin pa të drejtë. Por megjithatë unë ndihem moralisht një kampione Europe. Pasi mbarova provën e fundit, 5 minuta më vonë u mblodh gjyqtari, pasi një gjyqtar e ka menduar se ka pasur një lëkundje shtanga. Por ajo nuk ishte lëkundje për të më ndihmuar në shtytje, por thjesht frymëmarrja ime. Por ata vendosën të mos e merrnin parasysh këtë provë. Ishte një vjedhje, ishte një vjedhje e medaljes së artë. Të gjithë gjyqtarët më pas më kanë thënë se ‘na vjen shumë turp të të dalim përpara, pasi gjithçka ishte e rregullt’”. Megjithatë, falë një gare perfekte ajo arriti të shpallet nënkampione në peshën 58 kg dhe kampione Europe në stilin e shkëputjes, duke koleksionuar një medalje ari dhe dy argjendi.

“Ambicia ime janë Lojërat Olimpike 2012, dua ta përfaqësoj Shqipërinë denjësisht. Besoj se do të kemi ndihmën e duhur nga të gjithë faktorët”, deklaroi në fund Romela. Dje u ngjitën në pedanë edhe Endri Karina dhe Isa Bala, të cilët kanë dështuar në peshën 94 kg, duke mos u klasifikuar në dygarësh. Me medaljet e Qerimajt, Romelës, dhe atë të bronztë të Godellit, Shqipëria renditet e katërta në klasifikimin ekipor. /topchanel/

Lajme të ngjashme

Back to top button