Shqiptarë e serbë nuk presin aksion policor në veri

Formula e Qeverisë së Kosovës për dialogun që do të prodhonte zgjidhjen e çështjes së veriut është vlerësuar nga serbët të jetë e parealizueshme dhe që nuk do të prodhonte rezultate pozitive.

Të kundërtën e besojnë shqiptarët, por druajnë se Qeveria nuk e ka përnjëmend atë që e ka deklaruar, shkruan Koha Ditore.

Një ditë më parë zyrtarë të lartë të Qeverisë e kanë shprehur qëndrimin për të mos dialoguar për çështjen e veriut as me serbët vendës, për aq kohë sa kjo pjesë mbahet e zaptuar nga kriminelët. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka kumtuar se dialogut do t’i paraprijë përballja me ligjin e këtyre njerëzve. Kjo për shkak të frikës se serbët e veriut që do të pranonin të dialogonin, do të mund të kërcënoheshin nga grupet joformale të kësaj pjese.
Nexhmedin Spahiu, analist, ka shprehur bindjen se plani i bisedimeve nuk është vështirë i realizueshëm.

“Problemi është që Qeveria nuk po shoh se është përgatitur për ta futur nën kontroll veriun. Futja nën kontroll nënkupton një aksion ushtarako-policor, i cili elementet e rrezikshëm për sigurinë e vendit i shmang dhe pastaj bisedimet dhe proceset e tjera janë krejt të mundshme dhe të arritshme”, ka thënë Spahiu. “Unë nuk po e shoh as njërën dhe as tjetrën që Qeveria është e përgatitur për ta bërë”.

Oliver Ivanovic, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se serbët e veriut kanë problem për t’u besuar institucioneve të Kosovës. Prandaj, ka thënë se vetëm kthimi i besimit do të mund të kryente punë. Mirëpo, këtë rezultat ai nuk e sheh pa pasur një proces dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pjesë e të cilit do të ishin edhe serbët e veriut. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button