Skadoi afati 15-ditor i ministrive, ata mbeten jo-transparente, ja masat që duhet ndërmarrë

Qeveria e Maqedonisë me kërkesë të Ministrisë për Shërbime Informatike dhe Administratës (MSHIA) solli vendim që në afat prej 15 ditësh, të gjitha ministritë në Maqedoni në faqet e tyre të internetit të publikojnë gjithsej 21 dokumente. Afati 15-ditor ka skaduar, ministritë që udhëhiqen nga shqiptarët shumicën prej 21 dokumenteve, që lidhen me transparencën nuk i kanë publikuar kurse Ministria dhe Qeveria vendimin sërish zgjedh t’ia lë “vullnetit të mirë” ndërkohë që ekspertët propozojnë që e njëjta të përcaktohet me ligj, në rast të shkeljes së tij të parashtrohen edhe sanksione, shkruan Portalb.mk.

ministrite dokumente

“Maqedonia në nivel rajonal, sa i përket transparencës dhe publikimit revizional gjendet në vendin e fundit. Rangimi i Maqedonisë si e fundit vje si rezultat i analizës rajonale të bërë, në të cilën Maqedonia plotësoi 36% të indikatorëve të hulumtimit”, tha ministri i MSHIA-së, Damjan Mançevski gjatë parashtrimit të kërkesës për publikim të dokumenteve.

“Ministritë duhet ti publikojnë dokumentet që iu kërkuan. Nëse nuk i kanë publikuar me siguri bëhet fjalë për çështje teknike ose nuk kanë pasur mundësi që të sigurojnë nga arkivi i Ministrisë. Qeveria nuk ka hap konkret se çfarë do të ndërmerret ndaj ministrive nëse ata nuk do të publikojnë 21 dokumentet”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.

Transparenca nuk rritet vetëm me premtime dhe deklarata, por me vepra konkrete

Duke folur Bardhyl Jashari
Duke folur Bardhyl Jashari

Nga Fondacioni Metamorfozis thonë se politikanët dhe institucionet patjeter të japin llogari për të pasur një qeverisje të mirë. Rezultatet nga hulumtimi për shkallën e hapjes së institucioneve në gjashtë vende të rajonit në kuadër të projektit ACTION SEE – Përgjegjësi, Teknologji dhe Rrjeti i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis” i kryer nga tetori deri në fund të dhjetorit të vitit 2016 tregojnë se transparenca mesatare e pushtetit ekzekutiv, përfshirë edhe Qeverinë, ministritë dhe organet tjera ekzekutive në Maqedoni është 37%, ndërkaq në rajon 47%.

“Publikimi i këtyre dokumenteve do të ishte një hap i mirë drejtë rritjes së transparencës së institucioneve qeveritare. Por transparenca nuk rritet vetëm me premtime dhe deklarata, por me vepra konkrete. Përkushtimi i vërtetë i qeverise duhet të tregohet duke realizuar atë që premtuan, e jo me gjetjen e arsyeve për mos realizim. Zbatimi i vendimit te qeverise për publikimin e këtyre dokumenteve nuk duhet te varet nga vullneti i mire i ndonjë institucioni, kjo është përgjegjësi e tyre, dhe ne presim profesionalizëm dhe përgjegjësi nga institucionet e shtetit, por nëse nuk mjafton vendimi i qeverise dhe nëse nuk mund te mbështetemi ne përgjegjësinë e institucioneve, atëherë duhet  publikimi tyre te rregullohet me procese dhe procedura te brendshme dhe pse jo, edhe me ligj. Në bazë të ndjekjes së të dhënave dhe të gjetjeve të ACTION SEE, janë krijuar një sërë propozime praktike për përmirësimin e nivelit të transparencës së institucioneve në Maqedoni, por edhe në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Ne ia kemi dhënë propozimet Qeverisë së Maqedonisë, ata thanë që do ta bëjnë andaj presim të veprojnë sa më shpejtë” u shpreh drejtori i Metamorfozis, Bardhyl Jashari.

133880649
Nga e djathta: Goran Llazarov

Anëtari i organizatës joqeveritare “Evrothink” përgjegjës për transparencë dhe llogaridhënie, Goran Llazarov vlerësoi se që ministritë të rrisin transparencën dhe llogaridhënien duhet të ketë hap konkret se çfarë do të ndërmerret nga Qeveria e Maqedonisë ndaj atyre që nuk publikojnë dokumentet.

“Qeveria e Maqedonisë duhet të merre hap konkret tjetër pas 15 ditëshit. Këtu duhet të përfshihen trupat rregullatorë dhe agjencitë, e të gjitha duhet të publikojnë dokumente me qëllim që qytetarët të mund ti gjejnë lehtë ato”, tha Llazarov.

Publikimi i 21 dokumenteve nga ministritë duhet të parashihet me ligj

Jashari dhe Llazarev nga Metamorfozis dhe Evrothink vlerësojnë se publikimi i dokumenteve dhe lënia e rritjes së tranparencës dhe llogaridhënies të ministrive nuk duhet t’i lihet “vullnetit të mirë”, por duhet të përcaktohet me ligj.

“Nëse nuk mjafton vendimi i qeverise dhe nëse nuk mund te mbështetemi ne përgjegjësinë e institucioneve, atëherë duhet  publikimi tyre te rregullohet me procese dhe procedura te brendshme dhe pse jo, edhe me ligj.” tha Jashari.

“Kjo nuk duhet të jetë nga vullneti i mirë i ministrive, se duhet të publikohen dokumentet dhe aq, por ajo duhet të jetë e caktuar me ligj të cilin ata duhet ta respektojnë dhe të mos e shkeli, nëse e njëjta nuk respektohet duhet të ketë sanksione. Në secilin institucion duhet të caktohet një njeri i cili duhet të jetë përgjegjës dhe i njëjti të mbajë llogari në rast se dokumentet e caktuara nuk publikohen në uebfaqe. Sanksionet duhet të jenë materiale në drejtim të personave që janë përgjegjës. Megjithatë, duhet të ekzistojë një afat kohor se deri në çfarë date duhet të publikohen dokumentet e caktuara”, tha Llazarev.

Kërkesën për publikim të buxhetit dhe përditësim të saj, me ligj e ka parashtruar Ministria e Financave.

Nga MSHIA bënë të ditur se nuk kanë paraparë që publikimi i dokumenteve nga ana e ministrive të përcaktohet me ligj, mirëpo thanë se do të shohin se çfarë ka propozuar Ministria e Financave, nëse është e dobishme të njëjtën do ta bëjmë edhe ne.

“Nuk kemi paraparë se çfarë do të bëhet pas skadimit të afatit dhe as nuk kemi menduar që publikimi i dokuementeve të jetë në bazë të ligjit. Do të shohim se çfarë ka bërë Ministria e Financave dhe të njëjtën do të mundohemi ta bëjmë edhe ne”, tha zëdhënësja e MSHIA-së, Maria Tegovska.

Qeveria e Maqedonisë me porta të hapura
Qeveria e Maqedonisë

Përndryshe, më 31 tetor Qeveria e Maqedonisë me kërkesë të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës sot ka sjellë vendim ku obligohen të gjitha ministritë, në përjashtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Mbrojtje, në afat prej 15 ditësh të publikojnë 21 dokumente në uebfaqet e tyre të internetit si formë revizioni për buxhetin, strukturën organizative dhe transparente të tyre.

Publikimi i 21 dokumenteve parasheh vënie në uebfaqe të informatave për:

  1. Planin strategjik;
  2. Buxhetin;
  3. Raportet e miratuara për realizimin e buxhetit;
  4. Raporte revizore;
  5. Plan për furnizime publike;
  6. Rregullore të organizimit të brendshëm;
  7. Organogram për organizim të brendshëm;
  8. Rregullore për sistematizim të vendeve të punës;
  9. Listë të të punësuarve në institucion me pozitën e punës, email-in zyrtar dhe numrin e telefonit zyrtar;
  10. Tekste të konsoliduara nga aktet ligjore dhe nënligjore në kompetencë të çdo ministrie;
  11. Modelet që i përdorin qytetarët gjatë dorëzimin të të dhënave të aplikimeve te ministritë që të realizohen të drejtat e tyre, veçanërisht modele të kërkimit nga qytetarët për nxjerrjen e akteve reale për ata ministri që i nxjerrin ato;
  12. Tarifat për kompensimet për nxjerrjen e akteve reale;
  13. Lista e informatave nga karakteri publik;
  14. Kontakt të personit të angazhuar për informata të karakterit publik;
  15. Rregullore për raportim të brendshëm të mbrojtur;
  16. Kontakt të personit të autorizuar për raportim të brendshëm të mbrojtur;
  17. Emri dhe mbiemri i shefit për mbrojtje të të dhënave personale, pozita në institucion, email-i zyrtar dhe numri i telefonit zyrtar;
  18. Kontakt telefoni dhe emai zyrtar të ministrisë për çështje të përgjithshme;
  19. Lista e resurseve aktive që i zhvillojnë ministritë, në varësi prej kompetencës;
  20. Biografi të ministrit, zëvendës-ministrit dhe të sekretarit shtetëror dhe
  21. Paralajmërim për ngjarjet mujore ose kalendar online.

Nga ana tjetër, organet shtetërore prej vitit të ardhshëm në nivel mujor do të publikojnë sa borxh kanë. Kjo do të rregullohet me ligj, me ç’rast propozimi është përgatitur në Ministrinë e Financave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button