Berisha për vizitë në Afganistan

Kryeministri Sali Berisha gjendet në Afganistan, ku po takohet me trupat e komandës shqiptare të cilët po qëndrojnë në vatrën e luftës në kuadrin e një misioni ndërkombëtar paqeruajtës. Zyrtarisht Këshilli i Ministrave nuk e konfirmoi lajmin dhe kjo është procedurë rutinë për arsye sigurie.

Mësohet se Berisha bashkë me një ekip të ngushtë ushtarak ka mbërritur ditën e shtunë në Afganistan dhe ka shkuar në Kandahar ku ndodhet kontingjenti ushtarak shqiptar. Gjithashtu, mësohet se takimet e Berishës do të bëhen edhe në Kabul ku një tjetër kontingjent trupash shqiptare ndodhet bashkë me forcat ushtarake të Turqisë.

Vizita e Berishës vjen pak ditë pasi Kontingjenti i 20-të Paqeruajtës u nis për në Afganistan. Këtë radhë u mor vendimi për të dërguar një kontingjent të Policisë Ushtarake dhe nga autoritetet shqiptare, dërgimi i tyre në një mision të kësaj natyre merr një rëndësi të veçantë për rritjen e kapaciteteve të ushtrisë afgane.

Kontingjenti 20-të Paqeruajtës i Policisë Ushtarake shkoi me mision në Kabul të Afganistanit dhe ka në përbërje një togë prej 22 ushtarakësh, të cilët janë trajnuar dhe stërvitur në terrene të vështira, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ky kontingjent do të veprojë në përbërje të kontingjentit turk që vepron në Afganistan.
Mësohet se kryeministri po zhvillon bisedime edhe me drejtues të lartë të komandës së NATO-s në Afganistan.

Vizita e kryeministrit Berisha në Afganistan vjen pak javë pasi në Kandahar humbi jetën ushtaraku i parë shqiptar, kapiten Feti Vogli dhe u plagos nëntetar Aleksandër Peçi, gjatë një përplasje me forca policore afgane./Telegrafi/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button