Tetovë, u mbajt mbledhja konstituive por nuk u zgjodh kryetari i Këshillit (VIDEO)

Seanca konstituive e Këshillit të Komunës së Tetovës u ndërpre me kërkesë të këshilltares- Rushadie Ramani-Halili nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, raporton Portalb.mk.

Pasi që kaluan me shumicë absolute të votave 2 pikat e para të rendit të ditës, gjegjësisht zgjedhja e Komisionit Verifikues dhe Verifikimi i mandateve të anëtarëve të Këshillit të Komunës së Tetovës, kur kryesuesi i mbledhjes hodhi në diskutim pikën e tretë të rendit të ditës që ishte Propozim-vendimi për formimin e Komisionit për Çështje mandatore, zgjedhje dhe emërime,  e mandatuara nga radhët e BDI-së, Rushadie Ramani-Halili kërkoi nga kryesuesi i seancës ndërprerje të seancës për konsultime të mëtutjeshme mes grupeve. Kjo kërkesë u pranua nga kryesuesi Adnan Bilalli dhe me këtë seanca u ndërpre, me njoftimin se e njëjta do të vazhdojë një ditë tjetër.

Pas përfundimit të seancës, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, mbajti edhe një konferencë për media ku sqaroi se në ditët në vijim do të kompletohen edhe dy pikat e mbetura të rendit të ditës.

“Ne arritëm që në kohë, ashtu siç e parasheh ligji të bëjmë verifikimin e mandateve për këshilltar komunal, ndërsa duke pasur parasysh se ndarja e komisioneve në këshillin komunal bëhet në mënyrë proporcionale, ne nuk kemi arritur ti bëjmë bisedat me të gjitha grupet. Besoj që kjo brenda ditëve në vijim do të përfundoi dhe do të kompletohen edhe dy pikat e mbetura të rendit të ditës”, tha Arifi.

Ndryshe, Këshilli i Komunës së Tetovës numëron gjithsej 31 anëtarë nga të cilët në bazë të rezultateve të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 15 tetor, 9 i takojnë Bashkimit Demokratik për Integrim, 6 Lëvizjes BESA, 5 VMRO-DPMNE-së, 4 Aleancës për Shqiptarët, 3 Partisë Demokratike Shqiptare, 3 LSDM-së dhe 1 këshilltar Partisë Demokratike të Turqve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button