Tirana, Kosova dhe shtetet e tjera ngushëllojnë Maqedoninë

Sot është ditë zie në komunën e Butelit në Maqedoni nga ngjarja që e tronditi vendin, ku të vrarë janë pesë persona në periferi të Shkupit. Në këtë kontekst, përpos ngushëllimeve të ambasadave të shteteve të huaja në Maqedoni të cilat në çdo moment vijnë e shtohen, telegrame të ngjashme kanë dërguar edhe shtetet e tjera.

Presidentja e republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Ministria e punëve të jashme e Shqipërisë, Ministri i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç dhe të tjerë kanë shprehur keqardhjen e tyre përmes letrave.

“I nderuari President Ivanov, Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe në emrin tim, Ju shpreh ngushëllimet më të thella për vrasjen makabre të pesë qytetarëve dhe shprehim indinjatën tonë për këtë akt të shëmtuar, duke pasur besim që kriminelët do të përballen me drejtësinë”, thuhet në telegramin ngushëllues të presidentes kosovare Jahjaga.

“MPJ u shpreh ngushëllimet e saj familjarëve të viktimave dhe inkurajon autoritetet shtetërore që të hetojnë plotësisht këtë ngjarje. MPJ vlerëson se në këtë situatë është e nevojshme ruajtja e qetësisë, dhe shmangia e çdo lloj keqinterpretimi që pengon zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. 

“Në emër të MPB së Serbisë dhe në emrin tim personal dëshiroj t’iu shpreh ngushëllime për shkak të tragjedisë e cila i ka ndodhur popullit tuaj me lutje që ngushëllimet tona të thella t’ia drejtoni edhe familjeve të të ndjerëve”, thuhet në telegramin e ministrit serb të mbrojtjes Daçiç. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button