‘Me grusht majës së thikës’ mirëpritet nga publiku, sot repriza

Një shfaqje ndryshe nga të tjerat është realizuar mbrëmë në Teatrin e Tetovës. Aktorët e këtij teatri sollën për publikun premierën ‘Me grusht majës së thikës’ të autorit Augusto Boalli. Sot më 14 prill kjo dramë do të ketë reprizë në ora 20.00, në Teatrin e Tetovës.

Shfaqja ishte konsideruar si sfidë e rëndë për aktorët, por edhe vetë regjisorin Sulejman Rushiti.

“Patjetër e kam ta them se aktorët arritën ta superojnë në mënyrë të jashtëzakonshme dhe në një kohë shumë të shpejtë veprën. Unë jam i kënaqur ngase ajo që kisha si vizion arriti të superohet nga aktorët dhe arritëm të bënim atë që kemi dashur”, u shpreh Sulejman Rushiti, regjisor.

“Kemi punuar intensivisht për ta nxjerrë këtë shfaqje ngase ishte zhanër i panjohur për ne. Fjala është për një shkrimtar nga Brazili, Augusto Boall, i cili vet ka qenë politikisht i angazhuar në vendlindje dhe pastaj ato përvoja të veta i fut edhe në këtë tekst si një emigrant”, tha Elmir Sejfullai, aktor.

“Në fakt është hera e dytë që luaj në këtë stil të skenës kamertale.  Publikun e ke në gjysmë metër afër dhe e ndjen çdo frymëmarrje tënden e ndjen atmosferën erën që krijohet gjatë lëvizjes dhe mendoj se ndjenja edhe e aktorit është ndryshe në këtë moment edhe e spektatorit është ndryshe”, theksoi Burhan Amiti, aktor.


Drejtori Valmir Aziri paralajmëron një tjetër shfaqje, ditët e ardhshme në teatrin e Tetovës.

“Ne, që të enjten që kaloi kishim audicionin me regjisorin italian për shfaqjen e radhës që është ‘Akuariumi’ i Luka Kortinos. Ditët në vazhdim do fillojmë me provat për shfaqjen ‘Akuarium’  premiera e të cilës pritet të mbahet në fillim të qershorit”, deklaroi  Valmir Aziri, drejtor i Teatrit të Tetovës.

Kjo shfaqje është parashikuar të mbahet më 7 qershor, dhe më pas, pritet të vihen në skenë edhe shfaqje teatrore nga Kosova e Shqipëria, falë marrëveshjeve të bashkëpunimit të teatrove./ alsat-m

Lajme të ngjashme

Back to top button