Ahmeti dhe Wohlers shprehin keqardhje për vrasjen në Shkup

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka pritur sot në selinë e partisë në Tetovë, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup Poul Wohlers.

Takimi në Tetovë i filluar në orën 13.00 ka zgjatur tre orë ku dy bashkëbiseduesit nuk kanë dhënë deklarata për mediat por vetëm kanë dalur me një komunikatë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

 Bashkëbiseduesit diskutuan rreth aktualiteteve në vend me theks të veçantë të anëtarësimit të vendit në NATO, ligjit për lustrim, por diskutuan edhe rreth incidentit të mbrëmshëm në rrethinë të Shkupit ku humbën jetën 5 persona në rrethana akoma të pasqaruara.

Ahmeti dhe Ambasadori Wohlers shprehën keqardhje për incidentin e rëndë dhe u dakorduan që është e rëndësishme që hetimet të bëhen në mënyrë të detajuar duke sjellë para drejtësisë sa më parë përgjegjësit për këtë krim.

Bashkëbiseduesit u dakorduan gjithashtu që institucionet e vendit duhet të janë aktive edhe në menaxhimin e situatës por edhe në hetimin dhe zbardhjen e menjëhershme të krimit. Qytetarët, mediat dhe të gjithë opinionbërësit gjithashtu duhet të japin kontributin e tyre duke mos paragjykuar motivet për këtë krim.

Biseda vazhdoi rreth perspektivave Euroatlantike të Maqedonisë. Ambasadori Wohlers përsëriti se e vetmja e ardhme e Maqedonisë është në strukturat Euroatlantike dhe që anëtarësimi i Maqedonisë nuk varet nga samiti i NATO në Çikago, por mbetet në fuqi vendimi i aleancës i marrë në Samitin e Bukuresht që Maqedonia përmbush kushtet për anëtarësim dhe që do të bëhet pjesë e NATOs sapo të zgjedh çështjen e emrit.Kryetari Ahmeti e informoi ambasadorin Wohlers rreth përpjekjeve intenzive të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Qeverisë së Maqedonisë për të arritur përparim në këtë proces, ngjashëm siç u vendos për të hapur dialogun substancial me Bashkimin Evropian.

Këto përpjekje duhet të ndihmohen edhe nga komuniteti ndërkombëtar për arsye se rëndësia e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO tejkalon kufijtë e vendit dhe mundëson stabilitet të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik. Ambasadori Wohlers gjithashtu shprehu interesim për propozim Ligjin për Lustrim pas abrogimit të disa dispozitave të këtij Ligji nga ana e Gjykatës Kushtetuese, thuhet ne komunikaten e BDi-se. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button