EULEX-i nuk i paralajmëron arrestimet!

Misioni Evropian për Rend dhe Ligj, EULEX, të premten ka lëshuar një deklaratë për media përkitazi me shkrimin e publikuar në Gazetën Express për mundësinë që së paku katër zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës të arrestohen nën dyshimet për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare. Ky mision kundërshton artikullin, por nuk e demanton atë.

“EULEX-i dëshiron të kundërshtojë artikullin e publikuar në Express më datën 12 prill 2012, në të cilin pretendohet se një prokuror ndërkombëtar ka paralajmëruar arrestimin e disa zyrtarëve të qeverisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga EULEX-i të premten.

Gazeta Express, duke u thirrur në pohimet e një prokurori ndërkombëtar, ka shkruar se pritet që së shpejti të arrestohen disa zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës. Burimi i gazetës ka thënë se cak i organeve të drejtësisë do të jenë zyrtarë të rangut të lartë, ministra, por edhe një Zëvendëskryeministër.
Në komunikatë, EULEX thotë se asnjë zyrtar i saj i përgjegjshëm nuk do të fliste me gazetarët për këto tema. Më tej, misioni evropian sqaron se “nuk i paralajmëron arrestimet e as nuk komenton rreth hetimeve që janë duke vazhduar”.

Burime të Expressit, të afërta me Prokurorinë Speciale të Kosovës, kanë thënë se ky mekanizëm që përbëhet nga prokurorë evropianë dhe kosovarë, është në përfundim e sipër të procedurave të nevojshme ligjore para lëshimit të fletarrestimeve për katër zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Aktualisht, nën hetime është zëvendësministri aktual i Financave, Astrit Haraqija dhe zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi. Nuk dihet nëse këta dy zyrtarë do të jenë në listën e njerëzve që pritet të arrestohen. /telegrafi/


Lajme të ngjashme

Back to top button