Rusia pretendon se SHBA-të mbrojnë DEASH-in

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka pohuar se kanë siguruar fakte që koalicioni i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbron organizatën terroriste DEASH, duke shtuar se SHBA-të kanë refuzuar të ndërmarrin sulm ajror ndaj militantëve të DEASH-it të tërhequr nga rrethina e qytetit Ebu Kemal edhe përkundër të gjitha paralajmërimeve nga Rusia, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga ministria thuhet se është konfirmuar se autokolona e DEASH-it e gjatë disa kilometra ka avancuar në drejtim të Luginës Sabha në kufi me Irakun nga qyteti Ebu Kemal në prefekturën e Dejrizorit në Siri më 9 nëntor.

Sipas deklaratës, Rusia i është drejtuar koalicionit të kryesuar nga SHBA-të për të ndërmarrë operacion ushtarak ndaj autokolonës në fjalë.

“Në një mënyrë absolute, amerikanët refuzuan të ndërmarrin çfarëdo operacioni ushtarak me arsyetimin se militantët e DEASH-it janë duke u dorëzuar vullnetarisht”, thuhet në deklaratë.

Ndërkaq, në deklaratën e ministrisë thuhet se janë përdorur edhe pamje të pretenduara satelitore të autokolonës së DEASH-it, të cilat më pas, siç thuhet, janë fshirë. Ministria theksoi se pamjet paraprake ishin “të gabuara”, duke shtuar pamje të reja për të cilat u pohua se i përkasin autokolonës së DEASH-it.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, në një deklaratë për mediumet në Moskë tha se nuk është hera e parë që SHBA-të kanë mbrojtur terroristët e DEASH-it.

“Edhe më parë, gjatë marrjes së kontrollit të Rakkas dhe Mosulit, e kemi parë se s’i kanë hapur rrugën për ikjen e pjesëtarëve të DEASH-it. Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, më ka thënë disa herë se qëllimi kryesor i tyre është shkatërrimi i DEASH-it në Siri, megjithatë, ekzistojnë shumë pikëpyetje lidhur me qëllimet e SHBA-ve në Siri”, është shprehur Lavrov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button