Vuçiq: Deklarata e Izetbegoviqit për Kosovën ka pasoja

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata për Kosovën e anëtarit boshnjak të Presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviq, është komplekse dhe me pasoja të gjera, që duhet të merren parasysh në mënyrë serioze.

Në një intervistë për Deutsche Welle-n, të publikuar të hënën, Izetbegoviq ka thënë se sa i përket tij, Kosova, deri më tash, është dashur të njihet nga Bosnja, transmeton REL. 

I pyetur nëse Bosnja do ta njohë Kosovën, Izetbegoviq ka thënë: “Shpresoj se po”.

Vuçiq tha të martën se Serbia do të vendosë për përgjigjen e saj ndaj kësaj deklarate.

Ai tha se të enjten do të mblidhet Këshilli për Siguri Kombëtare i Serbisë.

“Shumëçka ka ndryshuar pas kësaj interviste”, tha Vuçiq.

Zyra e Izetbegoviqit reagoi të martën, duke thënë se agjencia serbe e lajmeve Tanjug ka postuar lajm të rremë kur ka thënë se Izetbegoviq ka deklaruar se Bosnja do ta njohë Kosovën.

“Pjesë të intervistës që anëtari i Presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviq, ka dhënë për Deutsche Welle-n, agjencia Tanjug i ka transmetuar në mënyrë të pasaktë, jashtë kontekstit dhe në mënyrë tendencioze, duke shtrembëruar vetë thelbin e deklaratës”, tha në reagim zyra e Izetbegoviqit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button